“Unë kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të shkëlqyer me Lazion dhe përherë do të ruaj kujtime të mrekullueshme”. Thomas Strakosha përshëndet publikun bardhekaltër dhe thotë se është gati të nisë një aventurë të re.
Portieri shqiptar i dha fund aventurës me Lazion pas dhjetë vitesh, mes të rinjve dhe ekipit të parë. “Në Romë u rrita, nga të rinjtë në ekipin e pare, u bëra ky që jam sot. Jam i lumtur me atë që bëra te Lazio, por tani fillon një kapitull i ri për mua.
Do t’i jem gjithmonë mirënjohës botës bardhekaltër për atë që ka bërë për mua vitet e fundit, bashkëlojtarëve, trajnerëve dhe tifozëve”, – shtoi portieri i kombëtares shqiptare.
Strakosha kujton momentin e lamtumirës: “Për mua ishte shumë i vështirë largimi pas më shumë se 10 vitesh. Lazio ishte shtëpia ime dhe aty kalova momentet më të rëndësishme të karrierës. Sa isha aty nuk fola me skuadra të tjera për respekt. Tani dua të fitoj në një kampionat të ri.
E di që largimi nga Italia do të kërkojë shumë punë fizike, megjithatë jam shumë i nderuar që emri im është i lidhur me klube si Chelsea. E kam ëndërruar gjithmonë Premier League , që kur isha fëmijë”.