Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim ka reaguar pas miratimit të konceptit të ri strategjik të NATO-s, ku Rusia shpallet rreziku numër një për aleancën.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, diplomatja e lartë amerikane thotë se “Aleanca jonë është në gjendje të përballet me çdo sfidë dhe mundësi”.

“Udhëheqësit e NATO -s ranë dakord sot për një Koncept të ri Strategjik për të siguruar që Aleanca jonë të jetë në gjendje të përballet me çdo sfidë dhe mundësi, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes dhe kundërpërgjigjes tonë si thelb i nenit 5, i NATO-s”, shkruan Kim.

Në nenin 5 parashikohet që parimi i mbrojtjes kolektive është në qendër të traktatit themelues të NATO-s. Ai mbetet një parim unik dhe i qëndrueshëm që lidh anëtarët e tij së bashku, duke i angazhuar ata të mbrojnë njëri-tjetrin dhe duke vendosur një frymë solidariteti brenda Aleancës.

STRATEGJIA E RE E NATO-S

Të mbledhur në takimin e nivelit të lartë në Madrid të Spanjës, udhëheqësit e NATO-s miratuan konceptin e ri strategjik të aleancës, ku Rusia shpallet rreziku numër një për aleancën. Ndërsa aleanca miratoi gjithashtu kërkesat për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës, Presidenti amerikan Joe Biden foli nga Madridi për një mesazh të pagabueshëm që po jep takimi i NATO-s. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një rritje të ndjeshme të pranisë ushtarake në Evropë, përfshirë edhe një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Poloni, dislokimin e anijeve të reja luftarake në Spanjë, si dhe avionë F-35 në Britani.