Dy vëllezërit Aliaj, ose të njohur nga emrat e artit Getinjo dhe Mozzik nuk kanë hezituar të tregojnë mbështetje për politikanë të caktuar. Ata shumë shpesh përmes postimeve në rrjetet sociale kanë treguar mbështetjen ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli të cilët ndodhen në burgun e Hagës.
Por, Mozzik gëzonka vlerësime të mëdha edhe për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Reperi ka ndarë një selfie të shkrepur së fundmi me kreun e qeverisë në Instagram duke e cilësuar atë si strategun më të mençur dhe të madh të gjeneratës së tij.
“Mendimet dhe pëlqimet për njerëzit në politikë gjithmonë i kemi të llojllojshme. Por, strateg më të madh e të mençur se Edi Rama, të paktën gjenerata ime nuk e ka mbërritur. Qe thojnë do pleq: I përpiktë.” -shkruan Mozzik krah postimit.
Mozzik prej kohësh është përkrahës i Partisë Demokratike të Kosovës dhe para zgjedhjeve parlamentare të vit të kaluar reperi e mbështeti edhe në rrjetet sociale. Madje, ai e shprehu simpatinë e tij, duke thënë se kjo parti e ka treguar veten dhe të mirat nuk duhet t’ia humbin askujt. Mirëpo, Mozzik tregoi më pas se respekton vullnetin e popullit. Ai nuk ngurroi të ndante një mesazh për qeverinë e re të Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti menjëherë pas formimit të kabinetit qeveritar, duke e përkrahur publikisht.
Mozzik, emri i vërtetë i të cilit është Gramoz Aliu, ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin.