Liderët e tre shteteve kryesore të BE-së, Italisë, Francës dhe Gjermanisë mbështesin kandidaturën e Ukrainës për marrjen e statusit kandidat.

Deklarata ka ardhur nga Kievi, ku Emanuel Macron, Mario Draghi dhe Olaf Scholz janë duke folur për mediat pas bisedimeve të tyre me Presidentin Volodymyr Zelensky.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha në fjalën e tij se udhëheqësit vizitorë janë të gjithë mbështetës që Ukraina të fitojë statusin e kandidatit “të menjëhershëm” për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Macron ka premtuar gjithashtu se Franca do t’i dorëzojë Ukrainës gjashtë armë shtesë me rreze të gjatë veprimi Cezar, ndërsa ajo përpiqet të luftojë pushtimin rus.

Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se ai erdhi në Ukrainë me një mesazh të qartë.

“Ukraina i përket familjes evropiane”, theksoi ai, teksa shtoi se Gjermania do të mbështesë një vendim pozitiv për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në BE.

Scholz thotë gjithashtu se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa i nevojitet në nivel financiar dhe ushtarak, teksa rrëfeu se vendi i tij deri më tani ka pranuar në gjirin e vetë rreth 800 mijë ukrainas të larguar prej luftës.