Ai në Katar mund të jetë Botërori i fundit i Wojciech Szczesny me Poloninë. Për ta pranuar këtë ka menduar vetë portieri i Juventusit, i cili në një intervistë të gjatë për polaken “Przeglad Sportowy” ka treguar se synon të luajë deri në moshën 40-vjeçare, por finishi duket se ka mbërritur për Botërorin.
Gjatë intervistës, ai ka rrëfyer emocionet e përjetuara gjatë ndeshjes kundër Suedisë, që i kualifikoi në Kupën e Botës së këtij viti: “Mendoj se nuk ka ndeshje më të rëndësishme se të tjerat, por në ‘play-off’ kundër Suedisë ndjeva se ishte diçka vërtet e veçantë.
Unë isha në fushë për ta luajtur ndeshjen me një qëllim të vetëm: të fitoja dhe shkoja në Botërorin e fundit të karrierës sime. Në Rusi nuk shkoi mirë, para katër viteve. Nëse dështojmë edhe në Katar do të thotë që nuk jemi ende gati për kompeticionet e këtij niveli, por më mirë të kem dy kampionate botërore në CV.
Qëllimi im është të luaj futboll deri 40 vjeç, por duke parë realisht atë që mund të jap dhe të bëj sot. Nuk e di si do ta kem trupin dhe mendjen pas tri apo katër vitesh”.
Gjatë intervistës, Szczesny nuk mundi të mos iu përgjigjej disa pyetjeve për luftën në Ukrainë: “Pas sulmit rus në Ukrainë, unë shkrova një postim të gjatë, por nuk e dija se nuk do të shkonim të luanim kundër tyre.
Po të shkoja për të luajtur në Moskë do të kishte qenë mungesë respekti për familjen dhe gruan time. Unë e përjetoj luftën drejtpërdrejt, sepse kam shumë të afërm, të mi dhe të gruas, në Ukrainë”.