Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, në konferencën përpara nisjes së takimit të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka bërë të ditur rendin e ditës.
Sipas saj, në takimin e sotëm do të diskutohet në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet OKB-së dhe organizatave rajonale brenda BE.
Ajo është shprehur se OKB dhe Bashkimi Europian duhet të forcojnë bashkëpunimin në shërbim të agjendës së përbashkët.
Në takimin e Këshillit të Sigurimit do të marrë pjesë virtualisht edhe Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrel, i cili pak orë më parë ka pasur edhe një bisedë telefonike me ministren Xhaçka.
Fjala e plotë:
Sot, Këshilli i Sigurimit do të fokusohet në Bashkëpunimin ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian nën pikën e rendit të ditës Bashkëpunimi ndërmjet OKB-së dhe organizatave rajonale dhe nënrajonale.
Plani im ishte t’ju drejtohesha së bashku me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendëspresidentin e Komisionit të BE-së Joseph Borrell. Fatkeqësisht, për shkak të rrethanave të paparashikuara, HR Borrel do t’i bashkohet dhe do të informojë Këshillin vetëm përmes QAP-së.
Edhe pse besoj se rëndësia e partneritetit midis OKB-së dhe BE-së, si kontribuesi më i madh në OKB, është e vetëkuptueshme, do të doja të nënvizoja veçanërisht nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë politik midis këtyre forumeve shumëpalëshe me ndikim global.
Besoj se përballë sfidave aktuale të vazhdueshme, këto dy organe do të duhet të forcojnë bashkëpunimin e tyre në shërbim të agjendës së përbashkët.
Nga paqja dhe siguria te forcimi i multilateralizmit, nga promovimi dhe respekti i plotë për
të drejtat e njeriut për përpjekje të përbashkëta në zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike, si dhe për të garantuar respektimin e plotë të ligjit ndërkombëtar dhe për të forcuar përgjegjësinë për shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar.
Për të gjitha këto çështje thelbësore, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare kanë një rol veçanërisht vendimtar për të luajtur. Kjo është arsyeja pse Shqipëria organizoi këtë takim për të pasur një diskutim të pasur dhe kuptimplotë mbi mënyrat e përmirësimit të bashkëpunimit mes dy organizatave dhe si t’i përgjigjemi me efektivitet sfidave të shumta me të cilat përballemi.
Ndikimi i përgjithshëm i luftës së Rusisë në Ukrainë do të pasqyrohet në diskutime. Ne përgëzojmë përpjekjet e jashtëzakonshme që po bëjnë disa nga shtetet anëtare të BE-së dhe të tjerët, duke përfshirë edhe timen, për të strehuar rreth 7 milionë ukrainas të zhvendosur me forcë nga lufta.
Shqipëria i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, të cilat sipas mendimit tonë janë dhe duhen parë vetëm si një mjet për t’i bërë të ditur Kremlinit se veprimet kanë pasoja dhe se nuk është e mundur të kesh biznes si zakonisht përballë një akti agresioni.
Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Federatës Ruse që të ndalojë luftën, të tërheqë trupat e saj dhe të përfshihet në negociata. Kjo është mënyra e vetme për të trajtuar çështjet dhe ankesat, dhe e vetmja mënyrë për të lehtësuar situatën akute globale të sigurisë ushqimore për të cilën, duhet të jetë e qartë, Rusia është vetëm dhe e vetmja përgjegjëse.
Ne presim që ndikimi i përgjithshëm gjeopolitik i situatës në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimor, të jetë i pranishëm në diskutimet tona.
Si një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, Shqipëria pret një qasje realiste, objektive, të afatizuar dhe të besueshme të zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.
Nuk është një favor. Nuk ka të bëjë vetëm me mbajtjen e premtimit të dhënë për një proces të bazuar në merita. Ai përbën një investim në gjithçka që BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj besojnë: paqen, sigurinë, zhvillimin, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Është gjithashtu një shtysë e fuqishme për zhvillim të qëndrueshëm në rajon si dhe një garanci e rëndësishme për një proces të gjatë pajtimi në Ballkanin Perëndimor.
Për këtë, Shqipëria pret me padurim një proces të përshpejtuar të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me lehtësimin e BE-së, i cili duhet të çojë sa më shpejt në njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Shqipëria beson se Ballkani Perëndimor i ka të gjitha arsyet për të parë me besim të ardhmen e tyre. Megjithatë, për të kapërcyer të kaluarën, ata duhet të punojnë së bashku, të jenë të bashkuar, të forcojnë bashkëpunimin e tyre dypalësh dhe rajonal, përmes mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, ndërkohë që ata të ndjekin rrugën e tyre individuale dhe të përbashkët drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike, në dobi të vendeve përkatëse dhe të gjithë rajonit.