Nga Xhoi Malesia
Për vite me rradhë, gjatë vizitave të mia në Shkodër isha mësuar të shihja peisazhin gjarpërues të lumit Buna nga lartësia e kalasë madhështore të qytetit. Pak mund ta kisha imagjinuar se një ditë do të ishte e kundërta, të shihja peisazhin e gurtë të kalasë nga rrjedha e embël e lumit.
E në fakt, ishte një ftesë e papritur nga Mandarina Project, e cila në një aktivitet promovues na shtyu drejt një aventure të re, sporti ujor i quajtur Paddling. Një tur i mirëorganizuar, që niste nga liqeni duke ndjekur formësimin e rrjedhës e më pas të vetë lumit. E veçanta e projektit ishte fakti se krahas edukimit fizik organizatorët servirën edhe edukim natyror. Një shpjegim fantastik i veçantive të florës dhe faunës që shoqëron këtë ekosistem mbresëlënës. Epo, mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë thotë populli.
E kisha parë Bunën më së shumti si një lumë të gjallë nga natyra, por pak të lëvruar në aktivitete. E kjo është një fatkeqësi për turizmin në shumë zona të Shqipërisë. Por, me sa duket e kisha gabim, e me vjen mirë që ture të tilla po i japin kryeqëndrës së veriut një qasje krejtësisht ndryshe në sensin pozitiv.
Me të postuar fotot e videot në instagram, mesazhet kanë qënë të panumërta. Shumëkush donte ta provonte si eksperiencë. S’me mbetet gjë tjetër veçse ta rekomandoj me 5 yje, sikurse vlerësohet në termat e turizmit.