Vazhdojnë provokimet në det mes NATO-s dhe Rusisë. Këtë herë tensionet janë ngritur nga marina ruse e cila sërish është shfaqur në Detin e Mesdheut, më konkretisht në hapësirën detare midis Italisë dhe Korfuzit, jo shumë larg kufirit detar të Shqipërisë.
Anija më e fuqishme luftarake e Marinës së Moskës, e quajtur “Varyag” ndodhet aktualisht disa dhjetëra milje larg nga Salento, në Itali.
I njohur si binjaku i “Moskva”-s, e cila u shkatërrua nga forcat ukrainase në Detin e Zi, “Varyag” po lundron rrezikshëm në brigjet e Pulias.
Është faqja “The Shipyard” që ka ngritur alarmin, duke sqaruar se “Varyag” është një anije e klasit sllav dhe një nga njësitë më të fuqishme e shkatërruese që Moska ka vendosur në Mesdhe, në një përpjekje për të rritur tensionin me NATO-n.
“Varyag” po lëviz në detin Jon e shoqëruar nga një anije tjetër mbështetëse, e quajtur “Admiral Tributs”, e cila e mbron atë nga sulmet hipotetike ajrore ose me nëndetëse.
Rruga e “Varyag” nuk është ende e qartë, me disa analistë që mendojnë se mund të futet në Adriatik duke qëndruar gjithmonë në brezin detar ndërkombëtar.
Për t’iu kundërpërgjigjur Moskës, në Mesdhe ka mbërritur ditën e sotme aeroplanmbajtësja gjigante “Truman”.