Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën mbrëmjen e djeshme. Një i ri ka shkuar në banesën ku jetonin dy gjyshërit e tij dhe ka konstatuar se ata ishin të pajetë. Ai ka lajmëruar menjëherë Policinë e Tiranës, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes.
Bashkë me ta edhe mjekë dhe ambulanca, që janë përballur me skenën tragjike të dy 80-vjeçarëve të pajetë në shtëpi. Të dhënat e para bëjnë me dije se i zoti i shtëpisë është gjendur i vetëvarur, ndërkohë përballë tij, në dysheme, është gjendur e pajetë edhe e shoqja.
Policia ka nisur menjëherë hetimet, duke marrë në pyetje edhe djalin që ishte në vendin e ngjarjes. Dyshimet e para flasin për një ngjarje tragjike që nuk ka asnjë ndërhyrje nga jashtë, por hetuesit nuk përjashtojnë asnjë lloj piste për këtë akt të rëndë të shënuar orëve të vona.
NGJARJA SIPAS POLICISË
Policia e Tiranës bëri me dije se burrë e grua, Safet dhe Arta Meçaj, janë gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tyre. Ata janë të moshës 80 vjeç të dy dhe mendohet se Safeti të ketë shfrytëzuar një moment kur ka qenë i vetëm në banesë, duke u vetëvarur. Gruaja, sipas dyshimeve të para, ka pësuar infarkt kur është përballur me burrin në litar brenda shtëpisë.
Ngjarja është shënuar në zonën e Selitës, ndërkohë djali i djalit të tyre është edhe personi i parë që është përballur me trupat e pajetë.
Policia bëri me dije se po hetohen një mori pistash, por dyshimi i parë lidhet me një vetëvrasje të burrit, pasi ata pretendojnë se gruaja nuk kishte shenja dhune. Do të jenë familjarët e tyre që do të hedhin dritë mbi shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, por Policia deri orëve të vona të mbrëmjes e përjashtonte pistën e ndonjë akti të kryer nga persona të tjerë.
Megjithatë, do të jetë mjekësia ligjore që do të hedhdritë për shkaqet e vdekjeve së dy viktimave, ndërsa Policia ka nisur edhe verifikimet e para që lidhen me bisedat telefonike, kamerat në lagje e një sërë faktesh të tjera që do t’iu duhen për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.