Nga Ditmir Bushati/
Mesazhi i parë ka të bëjë me simbolikën, e cila në politikë të jashtme reflekton veprimin politik. Përzgjedhja e Kosovës, shtetit më të ri të Europës, si ndalesa e parë e vizitës në rajon e Kancelarit Scholz, në kontekstin e luftës që po zhvillohet në Ukrainë si pasojë e pushtimit rus, është para së gjithash një mesazh për regjimin rus se, s’mund të ketë asnjë paralele mes Kosovës dhe Krimesë apo Ukrainës Lindore. Simbolikë përdori edhe Kancelarja Merkel kur në prezantimin e Procesit të Berlinit vuri në qendër të vëmendjes Shqipërinë, dhe gjithashtu ndalesën e parë në rajon pas prezantimit të këtij procesi e bëri në Shqipëri. Në këtë kuptim, ne shqiptarët, andej e këndej bjeshkëve duhet ta konsiderojmë veten me fat që jemi pjesë e aleancave të rëndësishme perëndimore. Por, duhet të zhvillojmë sensin e kohezionit e të ngrihemi në lartësinë e interesit kombëtar.
Mesazhi i dytë ka lidhje me procesin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, të cilin Gjermania e mbështet plotësisht, duke fashitur çdo ide mjegulluese “për një proces anëtarësimi të dorës së dytë”. Për Gjermaninë, si fuqia me kontributin më të madh politik e ekonomik në Europë, shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në BE. Dhe kjo e fundit konsiderohet e paplotë derisa ky proces të përmbyllet. Ambicja e Kancelarit Scholz është të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, për të ringjallur procesin e zgjerimit në rajon në prag të takimit të Këshillit Europian, të 23-24 qershorit.
BE-ja ka shumë përparësi ndaj Rusisë në Ballkanin Perëndimor, për arsye të afërsisë gjeografike, lidhjeve të forta ekonomike dhe kulturore dhe orientimit gjeopolitik të shumicës së shteteve të Ballkanit Perëndimor. Procesi i anëtarësimit në BE është çështje vullneti politik, përkatësie dhe reformash. Ndaj, Kancelari Scholz kërkoi njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, si rruga e vetme për anëtarësimin e dy fqinjëve në familjen europiane. E në të njejtën kohë, bashkimin e Serbisë, si një shtet kandidat për anëtarësim në BE, me shtetet që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Dënimi i agresionit rus i pashoqëruar me sanksione nuk mjafton!
Qëndrimi i Gjermanisë për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është i ri. Kancelarja Merkel gjatë vizitës në Serbi në vitin 2011, në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Tadiç kërkoi njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë si parakusht për anëtarësimin e kësaj të fundit në BE. Me kalimin e viteve, ndërsa Serbia u përpoq të zbus artikulimin gjerman mbi këtë temë, paçka se falë këmbënguljes së Bundestagut, bisedimet e Serbisë për anëtarësimin në BE nisën më kapitullin 35 që bën fjalë për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët, Kosova nuk arriti ta kapitalizojë atë. Ndaj, qëndrimi i Kandelarit Scholz duhet lexuar nga Kosova si inkurajim për të ecur në mënyrë konstruktive me vështrim nga e ardhmja dhe për të finalizuar një marrëveshje që garanton njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi dhe anëtarësimin në BE. Ndërkohë që Serbia duhet të kuptojë se europianizimi i saj nuk është një proces që matet me “pelivanllëkun” për të mbajtur në këmbë aleanca të së shkuarës që mbajnë peng rajonin, por me vullnetin për të njohur krimet e së shkuarës e distancuar prej tyre, dhe për të pranuar një realitet të ri në familjen europiane.
Mesazhi i tretë ka të bëjë me Procesin e Berlinit si platforma e bashkëpunimit rajonal, shpallur në vitin 2014 në një moment të veçantë për kontinentin, teksa shënohej 100 vjetori i nisjes së Luftës së Parë Botërore, zanafilla e të cilës nisi në Ballkan dhe në kushtet kur vetë Presidenti i Komisionit Europian Juncker kishte shpalosur programin sipas të cilit në 5 vitet e ardhshme BE-ja nuk do te zgjerohej me anëtarë të rinj. Që nga ajo kohë, janë hedhur disa hapa konkretë në drejtim të: pajtimit e bashkëpunimit politik e programeve të shkëmbimit në rajon, me fokus të rinjtë; krijimit të tregut të përbashkët rajonal; agjendës së ndërlidhshmërisë së rajonit me atë të BE-së; agjendës digjitale; bashkëpunimit në fushën e energjjsë dhe transportit.
Roli i Gjermanisë ishte vendimtar në ndërtimin e besimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e cila rezultoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Ishte Procesi i Berlinit që krijoi mjedisin e përshtatshëm që çoi në vizitën e parë të një kryeministri shqiptar në Serbi pas rreth 7 dekadash. Tashmë jemi mësuar të shohim udhëheqësit duke diskutuar për çështje rajonale, por kjo nuk do të ishte e mundur pa Procesin e Berlinit.
E bindur që Procesi i Berlinit nuk ka çliruar plotësisht potencialin e tij, Gjermania dëshiron ta zhvillojë më tej këtë platformë bashkëpunimi duke qenë në pozicionin e dorëzanësit. Një proces ndërqeveritar i riorganizuar që do të fokusohet kryesisht në çështjet politike dhe ekonomike me rëndësi strategjike, duke rritur më tej bashkëpunimin rajonal e duke çliruar energji për të ardhmen europiane të rajonit. Natyrisht, kjo nuk pengon aspak shtetet e rajonit të punojnë dhe investojnë për nisma që sigurojnë standarde e cilësi jetese për qytetarët më shumë sesa ky proces.