Nga Mero Baze
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka mbledhur sot gjithë ish- ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, në një ceremoni për të vlerësuar kontributin e diplomacisë shqiptare në marrëdhëniet me SHBA. Lajmi në të vërtetë ishte diku tjetër.
Në pritje ishin edhe tri ministra të Jashtëm të Sali Berishës, të cilët janë sot mbështetës të lëvizjes anti-amerikane të Berishës, pa llogaritur Ilir Metën, i cili ndryshe nga ata të tri që mbajnë iso, është vetë një aktor i madh i kësaj lëvizjeje. Dy prej këtyre ministrave, janë aktorë të prishjes së parë të madhe të raporteve mes SHBA dhe Berishës, në vitet 1996-1997.
Tritan Shehu ishte ministër i Jashtëm në krizën e viteve 1996 1997, ndërsa Arian Starovës i mbeti në dorë kjo krizë gjatë qeverisjes së përbashkët të krizës nën qeverinë e Bashkim Finos.
Aldo Bumçi nuk e mban mend as vetë pse ka qenë dhe kur ka qenë, por mban mend që e ka emëruar Sali Berisha dhe i është ende mirënjohës.
Ambasadorja Yuri Kim është bërë protagoniste e një maratone përkujtimesh të raporteve shqiptaro- amerikane në 100- vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe qëllimi i saj është të kujtojë ngjarjet që mbajnë të bashkuara të dy vendet.
Diabeti zhduket përgjithmonë! Bëni këtë një
Tri ish- ministrat e Jashtëm të Berishës, që në fakt janë sot njerëzit më të zemëruar me SHBA në Shqipëri, duhet ta kenë pasur të vështirë kur kanë marrë vendimin për të shkuar në pritje. Dilema nëse duhet të pyesnin apo jo Berishën, në këto raste dëshmon nivelin e përkushtimit dhe sakrificës që ata kanë për kauzën e Berishës.
Kjo dilemë i ka torturuar paksa, ndërsa vetë Berisha po përpiqet përmes personazheve të njëjtë, të organizojë dhe ai një përkujtimore “për vizitën e presidentit Bush në Shqipëri” javën që vjen.
Ai e do atë aktivitet si karshillëk ndaj aktiviteteve të ambasadores, ku ajo nuk e fton. Madje për ta çuar deri në fund këmbënguljen e tij për një foto me ambasadoren, e ka ftuar dhe atë në “vakinë” e tij.
Ndaj shkuarja e tri ambasadorëve të tij, mbështetës të “Foltores” kundër SHBA, në çdo situatë normale, është një gjest rutinë, që nuk ja vlen as për lajm. Por në Republikën e Paranojave që ka krijuar Sali Berisha brenda opozitës, ku vigjilenca ndaj atyre që bashkëpunojnë me SHBA konsiderohet tradhti e lartë, tri ministrat kanë bërë një akt guximi, që tregon se dhe ata, njësoj si Berisha, thjesht duan që dikush t’i përfillë nga SHBA.
Ilir Meta po ashtu e rrezatonte në fytyre këtë gëzim, ndërsa hyri i parë dhe gati ju hodh në qafë ambasadores Yuri Kim, ndaj të cilës ka bërë akuza paranojake deri për asgjësim në Malin me Gropa.
Dhe ndërsa ambasadorja filloi fjalën duke thëne se e quan veten “njeri me fat” që ka ardhur të shërbejë në Shqipëri, secili prej tyre nuk dinte ku të fshihte sytë dhe duart, duke menduar se “ai burri” po i shikon nga ekrani të lumtur para ambasadores dhe po turfullon.
Pastaj e mendojnë se i tërbuar ka kapur celularin dhe i ka çuar mesazh me sms Kaç Islamit, duke i kërkuar të replikojë me ambasadoren dhe t’i thotë që “Ishte fat i Edi Ramës, jo i yti”.
Ideja se “Ai” e quan këtë lëvizje të qëllimshme për ta izoluar dhe nga njerëzit e tij besnikë, është ankthi i tyre i vetëm, edhe pse ambasadores kjo është gjëja e fundit që mund t’i shkojë në mendje.
E gjithë kjo skenë është një torturë e madhe për të tri ata që po linin Berishën në vetmin e tij, dhe vetë Berishën. Do të ishte e tepërt të dyshonim, se ambasadorja Kim i kishte menduar gjithë ato mizaskena torturuese, të cilat nuk do të ishin të mundura, sikur të tri ish- ministrat “besëprerë” do të pyesnin Berishën, para se të shkonin aty.
Nëse do ta kishin pyetur, ne do kishim humbur sot atë skenë të sikletshme deri në torturë, me “tri ushtarë të Berishës në Ambasadë, pa llogaritur Metën”.