Rusia nuk mund ta fitojë luftën e saj kundër Ukrainës për një arsye të thjeshtë. Moska nuk po lufton vetëm kundër Kievit, por ndaj pjesës më të madhe të botës. Bashkimi Europian i dha javën e shkuar Ukrainës statusin e kandidatit, ndërsa më shumë se 50 vende janë tani pjesë e të ashtuquajturit Grupi Ramstein, të angazhuar për të mbështetur Ukrainën, duke përfshirë të 30 vendet anëtare të NATO-s.
Aleatja e vetme e deklaruar e Rusisë është Bjellorusia. Ku shkalla dhe besueshmëria e mbështetjes së saj, por edhe shkalla e gatishmërisë për t’u përfshirë në luftimet aktuale, janë të pasigurta në rastin më të mirë. Popullsia bjelloruse, që protestoi në mënyrë aktive kundër diktatorit të vendit, Aleksandër Llukashenko, në vitet 2020 dhe 2021, është në shumicë kundër përfshirjes në luftë.
Të diskutueshme janë ndërkohë edhe morali dhe aftësia e ushtrisë bjelloruse. Në fakt, nëse Bjellorusia pushton fqinjin e saj vetëm për t’u zmbrapsur brenda një kohe të shkurtër, nuk është e paimagjinueshme rënia e regjimit të Llukashenkos.
Kina, me të cilën Rusia nënshkroi një traktat të miqësisë në shkurt të këtij viti, e ka mbështetur verbalisht Rusinë, por ka preferuar të qëndrojë jashtë luftës dhe të vazhdojë marrëdhëniet ekonomike me Perëndimin.
Edhe Kazakistani, vend nga i cili presidenti rus Vladimir Putin mund të ketë pritur mbështetje, pas ndërhyrjes së Moskës në shtypjen e trazirave të janarit 2022 që e tronditën vendin, ka treguar se është një aleat jo i besueshëm.
Elitat kazake duken të vendosura të forcojnë aftësitë e tyre ushtarake, ndërsa presidenti kazak, Kasim-Jomart Tokajev, deklaroi kohët e fundit se vendi i tij nuk i njeh dhe nuk do t’i njohë republikat separatiste pro-ruse të Ukrainës, Luhansk dhe Donetsk.
Madje, Tokayev e bëri publikisht këtë deklaratë, ndërsa ishte ulur përballë Putinit. Moldavia, e frikësuar nga një sulm i mundshëm rus në rajonin e saj separatist Transnistria, është kthyer gjithashtu kundër Moskës. Më 19 qershor, presidenti moldav nënshkroi ligjin që ndalon transmetimin e propagandës televizive ruse.
Por ashtu parlamenti moldav u angazhua në një ngjarje të paprecedentë: në një seancë të përbashkët me parlamentin e Rumanisë, në të cilën të dy organet shprehën mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe dënuan agresionin e Rusisë.
Pra, Rusia është vetëm përballë një armate shtetesh të fuqishme politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht. Nëse Rusia do të ishte një superfuqi moderne, ajo mund të ishte në gjendje të rezistonte për një kohë shumë të gjatë. Por Rusia e Putini, është një vend i botës së tretë i pajisur me armë bërthamore.
Para vendosjes së sanksioneve, PBB e Rusisë ishte më e vogël se ajo e shtetit të Teksasit në SHBA. Kur sanksionet, së bashku me emigrimin e milionerëve dhe profesionistëve, të japin goditjen e tyre të plotë, PBB-ja e Rusisë do të jetë edhe më e vogël, kur problemet dhe vështirësitë e saj ekonomike për financimin e luftës do të bëhen edhe më të mëdha.
Ushtria ruse, dikur e vlerësuar si e dyta më e mira në botë, është treguar mediokre në fushën e betejës. Miliardat që supozohet se u investuan në modernizimin e saj, duket se janë vjedhur në masë. Qasja e ushtrisë ruse ndaj luftës mbetet e njëjtë me taktikat e mesit të shekullit XX. Tanket e saj janë të vjetra, ndërsa raketat po i mbarojnë.
Rusët kanë pësuar humbje të mëdha në Donbas, teksa janë bllokuar nga rezistenca e fortë ukrainase në provincat që bartin një simbolikë të rëndësishme, Luhansk dhe Donjeck. Njëkohësisht, forcat e armatosura të Ukrainës po përgatisin një kundërofensivë në provincën e rëndësishme strategjike Kherson, nga ku mund të rimarrin nën kontroll kanalin që furnizon Krimenë me ujë, dhe të zbehin shpresat e Rusisë për krijimin e një korridori tokësor atje.
Situata do të bëhet edhe më e vështirë për Moskën: sapo të nisin dërgesat perëndimore, sidomos nga SHBA-ja – të armatimeve të rënda, ushtria ukrainase beson se do të jetë në gjendje ta ndryshojë situatën në favor të saj, duke i dëbuar rusët nga territoret që pushtuan që nga fillimi i luftës.
Natyrisht, Rusia zotëron një arsenal të madh armësh bërthamore strategjike dhe taktike. Ka pak arsye për të menduar se Putini, në kulmin e dëshpërimit të tij, nuk do t’i përdorte ato në një moment. Por gjithashtu nuk ka asnjë arsye për të menduar se kjo do t’i siguronte atij automatikisht fitoren në këtë luftë.
Që nga nisja e luftës, ukrainasit janë përballur me zgjedhjen “lufto ose vdis”, dhe ata nuk kanë gjasa të zgjedhin të dorëzohen edhe nëse Putini përdor bombën bërthamore. Populli ukrainas do të vuante sigurisht shumë nga një sulm bërthamor. Por përgjigjja e koalicionit antirus ndaj tij do ta përshpejtonte humbjen përfundimtare të Rusisë.
Putini ndoshta nuk e priste kurrë që lufta e tij kundër Ukrainës, do ta kthente botën kundër Rusisë. Shumë vende perëndimore mund të kenë qenë po aq të befasuara me unitetin e tyre ndërkombëtar. Ndërkohë, rusët e matur e kanë kuptuar se sulmi i ushtrisë së tyre, jo vetëm që ka dështuar në mposhtjen e ukrainasve, por ka krijuar një koalicion të fuqishëm antirus, të cilit Rusia ka pak shanse t’i kundërvihet.
Prandaj, Kremlini ka një interes të përhershëm për zhvillimin e negociatave: Nuk ka asnjë lojë përfundimtare për Rusinë, që nuk e lë më të dobësuar, dhe një kundërofensivë e forcuar ukrainase vetëm sa do ta dobësojë fuqinë negociuese të Moskës.
Zgjedhja që kanë përpara aleatët e Ukrainës është e thjeshtë: Minimizim të humbjeve në njerëz, duke bërë gjithçka që është e mundur për ta detyruar Rusinë të tërhiqet shpejt ose të mposhtin rusët ngadalë duke maksimizuar gjakderdhjen. Sido që të ndodhë, në fund humbësit do të jenë Putini dhe Rusia.
Shënim: Alexander J.Motyl, ekspert mbi Ukrainën, Rusinë dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Është profesor i shkencave politike në Universitetin Rutgers./CNA