Analisti Lorenc Vangjeli rrëfeu për herë të parë në ‘Kontrast’ një ngjarje të paprecedentë mes tij dhe organit të akuzës.
Duke marrë shkas nga urdhri i SPAK për mediat në lidhje me dëshmitë e Nuredin Dumanit, Vangjeli tregoi se në 2009 është gjendur përballë një situate të ngjashmë ku ndodhet media sot.
Ai shtoi se një ish-ministër i Sali Berishës i kishte vënë në dispozicion dokumentacionin sesi ishte ndërtuar fabrika e vdekjes në Gërdec.
Në lidhje me shkrimin e publikuar më pas nga Lorenc Vangjeli me titull “Shënimet e një ministri”, ai rrëfeu:
“Kur ka ndodhur një ngjarje e tillë më është dashur shumë mund të mos e bëj publike. Por kam qenë në një situatë të tillë. Në vitin 2009 kam qenë në dijeni dhe në pozitën e personit që do të merrej në pyetje. Bëhet fjalë për çështjen e Gërdecit. Prokuroria kërkonte dokumentet e qeverisë që i hapën rrugën fabrikës së vdekjes në Gërdec.
Këshilli i Ministrave nuk i jepte sepse e mbronte Kushtetuta. Unë atëherë i botova dhe dokumentet vinin nga një ministër i Zotit Berisha. Unë u vendosa në një situatë absurde, ku unë ndodhesha para akuzës për nxjerrje të sekretit hetimor.
Kjo është një çështje që ka gjetur zgjidhje disa herë në Gjykatën e të Drejtave të njeriut. Hetimi zgjati me muaj të tërë, por burimi im ishte dhe do të mbetet i fshehtë.
Zanati ynë nuk është një lojë balerinash. Madje dhe balerinat i kanë gjunjtë e dërrmuar dhe këmbët e enjtura. Kur ti kërkon të jesh ndërmjetës përmes ngjarjes dhe publikut do të jesh i detyruar të pranosh çdo shtrëngesë. Kaprciçot apo llastimet që bëjnë herë pas here mediat nuk i bëjnë mirë as vetë medias” – tha Lorenc Vangjeli.