Erion Veliaj ka ironizuar nga Kavaja dy deputetët e opozitës, Grida Dumën e PD-së dhe Petrit Vasilin nga LSI. Në takimin e përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të PS për këtë bashki, Veliaj deklaroi se PS ka treguar në çdo palë zgjedhje se është forca që ka sjellë gjithmonë ndryshimin në vend.

“Shikojeni pak Etjen Xhafaj, deputeti juaj i mrekullueshëm, një çun fantastik që unë e kam njohur që në rini, edhe që është bërë sot avokati më i mirë i Kavajës. Ka treguar që edhe kur mbarojnë zgjedhjet është këtu. Edhe kur mbarojmë fushatën është këtu, edhe kur mbaron numërimi është këtu. Cili është këtu? Petrit Vasili? Grida Duma? Shumica prej tyre vijnë dhe thonë – “Ky është bastioni ynë, të kapim çfarë të kapim”, – dhe me skalpin që i marrin Kavajës, të shesin mend në Tiranë. Ne nuk jemi ajo parti. Ne jemi njerëz që i kemi rrënjët këtu. Ne kemi treguar që njerëzit në çdo palë zgjedhje kur i pyet: “A doni ndryshim”, të gjithë thonë duam ndryshim, por kur i pyet: “Nga e doni ndryshimin?” -Nga ata që gjithmonë kanë ndryshuar Shqipërinë, Kavajën, Tiranën dhe çdo cep të vendit tonë, që është partia jonë Socialiste e Shqipërisë”, theksoi Veliaj, drejtues politik i PS për qarkun e Tiranës.

Teksa bëri thirrje për një fushatë komunikimi edhe me ata që nuk kanë votuar më parë PS-në, Veliaj komentoi edhe zhvillimet në kampin opozitar dhe diferencën që ekziston mes tyre dhe socialistëve. “Ka njeri interes tek LSI ? Është burri, vjen gruaja, ikën gruaja, vjen burri.

S’ka asnjëri interes, është një biznes privat se PD e sigurt që s’ka njerëz. Në një moment që një njeri kthehet tre herë, do të thotë që lista e talenteve është aq e dobët, saqë ata e quanin rithemelim rikthimin pas 30 vitesh të atij që e themeloi. Pavarësisht se si do shkojë debati dhe platforma e gjithsecilit, asnjëri prej tyre nuk do shkojë të djegë selinë e partisë sonë, asnjëri prej tyre nuk do marrë një vare, që të shkatërrojë selinë e partisë sonë. Kjo është arsyeja pse kur ka zgjedhje në Partinë Socialiste, edhe njerëzit që nuk janë anëtarë tregojnë interes, sepse tregojnë interes për grupin që do qeverisë Kavajën, Tiranën dhe gjithë Shqipërinë dhe kjo është Partia Socialiste”, deklaroi Veliaj.

Drejtuesi politik i PS-së shprehu bindjen se socialistët do të fitojnë sërish Bashkinë e Tiranës për të çuar përpara punët e mira të nisura. “Kur shikon partitë e tjera, njëra është qepen familjar, tjetra është si ato ndeshjet e fundjavës, të wrestlingut e të mundjes që ti i sheh për argëtim. Nga dita e sotme, kemi 320 ditë, që të rifitojmë bashkinë e Kavajës, një bashki që siç e keni parë, me 200 vota shkon majtas, djathtas. Ne nuk e kemi luksin të humbasim askënd. Përkundrazi, kemi 320 ditë mundësi të afrojmë të gjithë familjen, edhe ata që deri dje s’ishin me ne, sepse për sa kohë që ne kemi treguar që vetëm kur hapemi rritemi, do të thotë që ne e dimë formulën e fitores”, deklaroi ai.
Katër kandidatët e përzgjedhur për fazën finale, Klodian Shehi, Shpend Barameta, Neritan Bajaziti dhe Marinela Alia paraqitën para Asamblesë së Zgjeruar të Bashkisë Kavajë platformat e tyre të kandidimit.