Festivali i madh “Sunny Hill” që do të të mbahet nga 4 -7 gusht nuk do të organizohet këtë vit në Prishtinë. Ky festival që u themelua nga Fondacioni Sunny Hill, i këngëtares me famë botërore Dua Lipa, do të zhvendoset në Tiranë, ku Bashkia ka siguruar se gjithçka do të jetë në mënyrë perfekte.

Arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka postuar dhe mesazhin e organizatorëve të këtij festivali. “E njëjta datë, e njëjta përvojë e bukur, vendndodhje e ndryshme! Këtë gusht (për shkak të vonesave nga autoritetet në sigurimin e licencave të nevojshme për vendndodhjen), jemi të detyruar të shkojmë në Tiranë. Ne duam të informojmë të gjithë mbajtësit tanë të biletave se biletat e tyre janë të vlefshme për Sunny Hill Festival 2022 – Tirana Edition, ndërsa ata që nuk mund të marrin pjesë në Festivalin në Tiranë, do të mund të rimbursojnë biletat e tyre. (Rimbursimi do të realizohet nga 1 korriku deri më 15 korrik. Më shumë detaje dhe udhëzime do të jepen në ditët në vijim.)”, thuhet nga organizatorët.