Socialistët e Tiranës kanë ndezur motorët për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke nisur nga përzgjedhja e drejtuesve të rinj të PS në çdo njësi. Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, zhvilluan një takim me anëtarët e Asamblesë së Njësisë 4, në vijim të turit informues për zgjedhjet organizative në parti.
Veliaj theksoi se zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste marrin një rëndësi të veçantë për këdo, pasi ajo është forca që qeveris vendin dhe qytetin. “Njerëzit ndjekin Partinë Socialiste sepse e dinë që ajo është partia që prodhon shumicën, prodhon lidershipin e qytetit dhe të vendit, prodhon shumicën parlamentare, prodhon shumicën në Këshillin Bashkiak. Ndaj, edhe zgjedhjet në PS janë kurioziteti më i madh politik i qytetit. Të gjithëve, edhe kundërshtarëve tanë, u intereson si do të shkojë puna me PS-në sepse e dinë, që kjo është forca që qeveris vendin, qeveris qytetin, bën shtet, dhe çdo gjë që prek me dorë e lë më mirë seç e gjeti. Pse duhet ta ndjekin njerëzit një parti që s’ka për të ardhur kurrë në pushtet si PD? Pse të ndjekin një parti që brenda saj ka njerëz të shpallur “non grata”? Pse ta ndjekin një parti që, njëherë e merr burri, njëherë e merr gruaja, në varësi të posteve që kanë?”, u shpreh Veliaj.
Ai komentoi edhe zhvillimet në kampin opozitar, ku zgjedhjet brenda saj u shoqëruan me përplasje. Veliaj theksoi se PS është e vetmja forcë politike e përgjegjshme ndaj qytetarëve. “Ne i bashkojmë njerëzit, ata i përçajnë njerëzit. Ne duam që gjërat të ecin përpara, ata thonë: Jo, të kthehemi prapa! Ne duam që puna të çlirohet, ata thonë: Jo, puna të bllokohet! Jemi komplet ndryshe si mentalitet, si filozofi. I keni parë proceset e tyre zgjedhore në 8 janar? Shkohet në parti me qysqi, me kokë dashi, me vare, me çekiç, me flakadanë, me gaz lotsjellës? Nuk ka njeri kuriozitet si rrihen ata, se njerëzit i shohin. Edhe demokratët thonë: ‘Prit pak, po këta rrihen kështu mes tyre? Çfarë do bëjmë me këta, kur këta djegin zyrën e tyre? Po shtëpisë time ç’mund t’i bëjnë këta?’. Ata shkaktuan Gërdecin, 21 Janarin, dhe s’e morën kurrë përgjegjësinë”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë shtoi se PS-ja ka nevojë për një fushatë komunikimi me qytetarët, për të treguar projektet e realizuara deri më tani. Ai u ndal edhe tek patronazhistët, teksa theksoi se kjo formulë funksionoi më së miri dhe kjo është arsyeja pse kritikohet nga opozita. “Mezi pres që, me energji të mira, me këtë skuadër fantastike që kemi në Njësinë 4, të marrim një fitore spektakolare. Kundërshtarët tanë hipin mbi kofano, hipin mbi makina, xhirojnë gomat – çfarë politike është ajo? Këta na shajnë patronazhistët. Ju e dini formulën, po të shanë portalet e tyre, do të thotë se e ke bërë mirë atë punë. Ata shajnë atë që funksionon. Fakti që shajnë gjithë punët që bëhen në Tiranë, do të thotë se është komplimenti më i madh”, u shpreh Veliaj, para socialistëve të Njësisë 4 në kryeqytet.