Erion Veliaj e cilëson zgjedhjen e Bajram Begajt në Krye të Shtetit si kthim në normalitet të institucionit të Presidentit. Gjatë një takimi informues me asamblenë socialiste të Njësisë 7 në kryeqytet, për zgjedhjet e brendshme në PS, Veliaj tha se tashmë vendi do të ketë edhe një President normal, që nuk rrihet me punonjësit e Policisë Bashkiake.
“Hapja e partisë dhe kjo fushatë informuese është edhe një mënyrë e mirë për të komunikuar. Ne kemi nevojë të shpjegojmë shumë gjëra, qoftë edhe ngjarjet e ditëve të fundit, si zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës. Synimi i PS ishte të shkonim nga një çmendinë, ku ishte kthyer Presidenca, në një normalitet, me një njeri që nuk shkon të rrihet me policët e Bashkisë, që nuk shkon rrihet me punëtorët e gipsit në zyrat e bashkisë dhe nga rakia ngatërron zyrën e katit të tretë të FRD-së, me zyrën e katit të parë, ku janë Emergjencat Civile të Tiranës”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë theksoi se vendit i duhej një president normal, që nuk sulmon çdo investues. “Kemi kryeministër të aftë dhe një qeveri normale, kemi një bashki normale, vendit i duhej edhe një Presidencë normale. Kur dikush vjen për të investuar në Shqipëri dhe thotë: Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë qenkan normalë, ndërkohë Presidenti qenka i shkalluar, nuk jam i sigurt nëse mund të bëj biznes në një vend ku ky nuk të firmos ligjet apo shpall oligark çdo investitor që do të bëjë hotel me 5 yje”, theksoi Veliaj, njëherësh dhe drejtues politik i PS për qarkun e Tiranës.
Mandej, Veliaj tha se është e nevojshme që të kujtohen të gjitha punët e mira që janë bërë në qytet, duke sjellë shembullin se si Tirana sot është dita me natën krahasuar me drejtimin e Lulzim Bashës. “Më tha dikush: Lali, shumë mirë këto kazanët nëntokë, po tek lagjja ime s’kanë ardhur ende. Shqyqyr që ka ardhur dita të flasim për kazanët nëntokë, se deri para pak vitesh diskutonim për plehrat mullar. Më kujtohet fushata ime e parë, kur Luli i pastronte plehrat vetëm kur kaloja unë si kandidat, saqë njerëzit më thoshin, aman kalo edhe nga lagjia jonë se i pastrojnë se do vish ti. Sot jemi komplet tjetër sepse diskutojmë a i kemi kazanët rezistentë ndaj zjarrit, i kemi mbi tokë a nën tokë. Sot pastrimi nuk dikutohet njëherë në 3 ditë, por 3 herë në ditë ose më shumë. Jemi dita me natën! Prandaj them se garën këtu e kemi me veten”, tha ai.