Vora ishte ndalesa e radhës në kuadër të turit të takimeve për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendorë në 61 bashkitë e vendit. Drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës, Erion Veliaj, bëri thirrje për hapje te partisë dhe për të komunikuar edhe me ata që sot nuk ndajnë të njëjtën bindje si socialistët. “Ne u rritëm se kaluam gardhin dhe ftuam edhe të tjerët. Nëse vazhdojmë mbajmë këtë formulë, nëse gjithmonë hapemi për të tjerët, dimë të jemi të përulur dhe të themi se ai 70% nuk është mundësi për arrogancë, por mesazh për të qenë të përulur. Unë besoj që duhet të vazhdojmë me përulësi, me kontakte, të komunikojmë me njerëzit në çdo vend ku janë, por sidomos me kundërshtarët tanë që sot s’kanë asnjë arsye të votojnë Saliun dhe Ilirin, por kanë të gjitha arsyet për të votuar PS, kur kanë një shkollë, kopsht dhe çerdhe më të mirë. Duhet të kuptojnë një gjë kundërshtarët tanë: Partia më e rëndësishme është familja jote, jo logot e partive politike dhe nëse ka një parti politike që punon për partinë tënde më të rëndësishme që është familja jote , shtëpia jote, atëherë ajo është Partia Socialiste e Shqipërisë”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se sot përballë socialistëve janë ata që i kanë shkaktuar vendit dramën e Gërdecit dhe të 21 janarit. Ai nënvizoi se PS është skuadra që mban premtimet dhe zgjidh hallet e qytetarëve. “Ata që bënë Gërdecin i kemi prapë përballë, ata që bënë 21 janarin i kemi prapë përballë. Ata të fyejnë inteligjencën! Të kesh përballë njeriun e Gërdecit dhe njeriun e 21 janarit, dy sebepçinjtë e dy dramave që i kanë shkaktuar qeveritë, jo natyra. Ne vërtet jemi marrë me drama, por jemi marrë me dramat e pandemisë dhe tërmetit, që s’i kemi shkaktuar ne. Është dashur që të përballemi dhe jemi përballur me dinjitet. Mu bë zemra mal që kemi ecur me premtimet dhe duhet që deri sa të hapim fushatën tonë, të kemi hequr të gjithë andrallat dhe streset e tërmetit dhe të themi: Nuk e shkaktuam ne, por e zgjidhi Partia Socialiste dhe skuadra jonë”, tha ai.
Veliaj deklaroi se sot Vora është njësia rekord për Partinë Socialiste duke përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të kaluara. “Për sa kohë që ne kemi qenë një parti në minorancë 28% – 30%, në momentin që bëhemi 70%, diçka po ndodh. Së pari, do të thotë që kemi vendosur të bashkohemi mes vetes sonë. Së dyti, ne kemi vendosur të shohim përtej gardhit tonë. Së treti, kemi arritur që të komunikojmë me njerëzit. Sot ne kemi përballë Saliun dhe Ilir Metën, as dua të merrem fare me ta, por ata jetën e tyre e ndajnë mes Tiranës dhe Gjirit të Lalzit. Për ata Vora është tranzit, e shohin nga xhami i makinës. Për ne Vora është destinacion dhe kjo është diferenca e madhe mes atyre që e shohin Vorën vetëm nga xhami i makinës 30 sekonda dhe atyre që investohen përditë, e përditë, e përditë, derisa kjo qytet sot të shpallet zyrtarisht skuadra jonë kampion për të gjithë Republikën e Shqipërisë për Partinë Socialiste”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Tre kandidatët e përzgjedhur për fazën finale, Endirsa Haxhiu, Besnik Dunga dhe Elisabeta Haka paraqitën para Asamblesë së Zgjeruar të Bashkisë Vorë platformat e tyre të kandidimit.