Publicisti dhe njëkohësisht këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Veton Surroi, në një intervistë me Ilva Taren për #BalkansDebrief të Këshillit të Atlantikut, ka kërkuar që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të bëhet serioz. Surroi gjithashtu, ndryshe nga Kurti, sugjeron që Kosova duhet të marrë pjesë aktive në çdo nismë rajonale, apo europiane për të shprehur qëndrimet e saj.
Sipas Surroit, bisedimet kanë ardhur në një pikë që duhet të bëhen serioze, që do të thotë se duhet të jenë bisedime për gjendjen aktuale të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si shtete dhe si të mund të normalizohen ato.
“Për, sa kohë ka çështje si njohja e targave, e të tjera si këto, që marrin vëmendjen dhe energjitë, atëherë bisedimet nuk kanë sjellë asnjë ndryshim për marrëdhëniet mes dy vendeve. Fatkeqësisht, dialogu ka hyrë në një fazë mikro-menaxhimi, jo tani, por prej vitesh tashmë. Ndaj sfida kryesore është si të nisë një dialog ku palët të përballen me ankesat e tyre,” shprehet ai.
Veton Surroi: Albin Kurti të jetë kudo në nismat rajonale
Dialogu Kosovë-Serbi
Surroi nënvizon se marrëdhënia aktuale midis dy vendeve është ajo e një konflikti të papërfunduar.
“Duhet arritur në një pikë ku të dy shtetet bien dakord të punojnë për një të ardhme më të mirë, ku të bashkëpunohet dhe të gjendet, jo vetëm paqja, por edhe një formë e përparuar integrimi në familjen europiane. “Duhet të jetë përpjekja jonë e përbashkët. Çështja mbetet, si do arrijmë në pikën që marrëdhëniet Kosovë-Serbi të jenë si ato të dy shteteve europiane,” thotë ai.
I pyetur nga gazetarja Ilva Tare se cila është rruga për të ecur përpara me dialogun, Surroi u përgjigj se: “duhet një mirëkuptim mes palëve se si do të ndajmë të njëjtat marrëdhënie që shtetet europianë kanë, siç janë liritë europiane, katër liritë e lëvizjes dhe më pas ne angazhohemi në një proces, i cili, jo vetëm do t’i japë fund konfliktit, por do të hapë një epokë të re në marrëdhëniet dypalëshe, ku ekonomitë tona komunikojnë, njerëzit komunikojnë, shtetet dhe kulturat tona komunikojnë.
Procesi duhet të bëhet serioz dhe të vendosë afate, për shembull në 12 muajt e ardhshëm të arrijmë të biem dakord se do të nisim një dialog serioz. “Çfarë kërkon Serbia që të ndjehet e relaksuar në marrëdhënien e saj me Kosovën shtet të pavarur? Çfarë ka nevojë për mbrojtjen e pasurisë kulturore? Çfarë i duhet për mbrojtjen e njerëzve, në kuptimin që është detyrim për shtetin fqinj t’i respektojë në mënyrë që të përparojë më tej bashkëpunimi për çështjet e sigurisë me Kosovën?”
Kosova dhe Procesi i Berlinit
Veton Surroi është i mendimit se Prishtina dhe të gjitha palët të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të angazhohen në Procesin e Berlinit.
“Kemi nevojë për të arritur objektivat që janë parashkruar në marrëveshjen e Sofjes për të ndihmuar Tregun e Përbashkët Rajonal. Objektivi ynë është si të arrijmë tek Tregu i Përbashkët Rajonal mes të gjitha vendeve të Balkanit brenda një kohe relativisht të shkurtër. Duhet të vendosim pritshmëri të matshme, për shembull, cilat janë 10 gjërat që na duhen në 6 muajt e ardhshëm për të përforcuar procesin dhe të kemi rezultate konkrete” shprehet ai.
A ndryshon kjo qasje që sugjeron Surroi nga ajo e Kurtit që kërkon më parë njohjen e plotë nga Serbia të Kosovës si shtet i pavarur dhe më pas diskutime për marrëveshje?
Veton Surroi: Albin Kurti të jetë kudo në nismat rajonale
Surroi thotë se ideja e Tregut të Përbashkët Rajonal nënkupton se të gjitha palët janë të barabarta. Dhe testimi është i thjeshtë, i matshëm.
“Së pari, nuk mund të kesh Treg Rajonal pa patur lëvizje të lirë të njerëzve. Kështu që ky është testi i parë, le ta provojnë. Brenda 6 muajve të gjithë qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të udhëtojnë me mjetet e identifikimit biometrike. Dhe kjo është e thjeshtë. Nuk është diçka e vështirë për t’u arritur, është teknike, jo çështje politike.”
Ballkani i Hapur dhe deklarata e Lavrov
Surroi thotë se arsyet e deklaratës së Lavrov mund të jenë edhe politike, ose të tjera.
“Rusia nuk është një vend mbështetës i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit. Ka tentuar në 10 vitet e fundit në mënyrë të fshehtë, gjysmë të fshehtë, ose aspak të fshehtë të pengojë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit. Mali i Zi është destabilizuar nga veprimet ruse. Ka pasur tentativa në Maqedoninë e Veriut, ndaj nuk do t’i kushtoja shumë vëmendje deklaratës së tij për këto çështje,” sugjeron Surroi.
Për sa i takon pjesëmarrjes në Ballkanin e Hapur, Veton Surroi thotë se, “Kosova duhet të marrë pjesë dhe të jetë anëtare e plotë, ose vëzhguese, të shprehë qëndrimet e veta për çdo nismë të arsyeshme që është në Ballkanin Perëndimor dhe çdo nismë tjetër në Europë”.
“Qëllimi ynë është të marrim pjesë në çdo proces shumëpalësh në Europë, jashtë Europës dhe në botë. Ne duhet të shprehim në mënyrë aktive opinionet tona”, përfundon Surroi.