Kopshti Zoologjik hapi dyert këtë të shtunë për të pritur të gjithë dashamirësit e kafshëve dhe të shpendëve të egra. Mbi 15 mijë fëmijë, prindër, gjyshe dhe gjyshër vizituan kopshtin e ri, që iu rikthye pas shumë vitesh Tiranës, duke korrur sukses që ditën e parë.
Por jo të gjithë kanë dashamirësi ndaj botës së egër. Siç duket edhe nga kjo video që po qarkullon në media, një qytetar mbi të 30-at po qëllon me gurë, pa asnjë shkak, nga rruga tigrin dhe luanin. Një gjest i shëmtuar, që duhet dënuar nga të gjithë. Kjo sjellje kërcënuese ndaj kafshëve bëhet në sy të fëmijëve që kanë ardhur të vizitojnë kopshtin.
Numri i lartë që në ditët e para të vizitorëve tregoi qartazi se qytetarët e Tiranës e përqafojnë të bukurën dhe i thonë “Jo” vandalizimit të pronës publike. Kanë qenë të shumta komentet në rrjetet sociale të qytetarëve të Tiranës që kanë dënuar masivisht sjellje të tilla vandale, ndërsa kanë publikuar foto me fëmijët e tyre në Kopshtin e ri.
Nga një hapësirë e harruar, Bashkia e Tiranës e rikonceptoi atë, jo vetëm si një hapësirë argëtimi për t’u njohur me botën e egër të kafshëve, por edhe si një hapësirë edukative për studentët dhe nxënësit.