Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka me rastin e debatit të Këshillit të Sigurimit me temë “Mbajtja e premtimeve: Roli i Organizmave Rajonale në Jetësimin e Agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria përballë Trazirave Politike dhe Marrjes së Pushtetit me Forcë”, i cili është ndër veprimtaritë shënjuese të presidencës shqiptare të Këshillin e Sigurimit theksoi se ka pjesëmarrja të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, por ende sfidohet nga barrierat strukturore.

Fjala e plotë e ministës Xhaçka:

Që nga 1 qershori 2022, Shqipëria ka marrë kryesimin e Presidencës së Këshillit të Sigurimit. Ky është një privilegj dhe përgjegjësi e madhe në të njëjtën kohë! Si pjesë e angazhimeve tona, për të mbrojtur dhe avancuar më tej agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Këshillin e Sigurimit, Shqipëria do të organizojë më datë 15 Qershor, një event shënjues, një Debat të Hapur me titull “Mbajtja e premtimeve: Roli i organizatave rajonale në zbatimin e agjendës ‘Gratë, Paqja dhe siguria’, përballë trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë”.

Që nga miratimi historik i Rezolutës 1325 (2000), kuadri normativ në fushën “ Gratë, Paqja dhe Siguria”, ka vazhduar të zhvillohet gjerësisht. Megjithatë, pavarësisht zhvillimit të politikave të tilla, gjatë dy dekadave të fundit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për zbatimin e tyre. Pjesëmarrja kuptimplotë e grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes dhe përfshirja e tyre kuptimplotë në parandalimin e konflikteve dhe negocimit të proceseve të paqes, ende sfidohet nga barrierat strukturore, mungesa e aksesit në burimet politike dhe ekonomike, si dhe nga një mentalitet kryesisht mashkullor i politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare.

Ngjarjet e fundit në pjesë të ndryshme të botës, në Ukrainë, Afganistan, Sudan, Myanmar, Mali, Etiopi etj., nuk kanë kërcënuar vetëm arritjet e brishta të agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”, por edhe jetën, punën e grave paqendërtuese dhe mbrojtëse të të drejtave të njeriut. Rritja e fundit e grushteve ushtarake të shtetit dhe kapja e pushtetit me forcë, ka ndikuar në mënyrë drastike, në perspektivat e organizatave të grave dhe avokatëve të barazisë gjinore në këto vende si dhe ka testuar aftësinë e komunitetit ndërkombëtar për të përmbushur mandatin e Këshillit të Sigurimit.

Një koordinim më i mirë dhe një bashkëpunim më i ngushtë, ndërmjet Këshillit të Sigurimit dhe organizatave rajonale dhe nën-rajonale, mund të bëjë diferencën në terren. Më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për njohuri dhe perspektiva të reja, për të përshpejtuar zbatimin e agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”.

Ne besojmë fuqimisht se organizatat rajonale dhe nën-rajonale, mund të luajnë një rol vendimtar në këtë drejtim, veçanërisht gjatë këtyre kohërave të trazuara. Këtë do të përpiqemi të arrijmë gjatë Debatit të Hapur: Të identifikojmë mangësitë e vazhdueshme në zbatimin e kuadrit normativ për agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, në kontekste të diktuara nga një grusht ushtarak shteti i mundshëm apo nga marrja e pushtetit me forcë; Të ndajmë përvojat dhe idetë më të mira mbi mënyrat se si Këshilli i Sigurimit ose organizatat rajonale, mund të mbrojnë dhe avancojnë më tej këtë agjendë në situata të tilla; Të mbështesim punën e atyre grave që kontribuojnë në ndërtimin e paqes, organizatave të shoqërisë civile dhe ta vendosim analizën gjinore në qendër të strategjive tona të parandalimit dhe reagimit.

Së bashku, mund të arrijmë shumë më tepër dhe të mbajmë premtimet e bëra për popujt tanë, veçanërisht për gratë dhe vajzat anembanë botës.