Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK) Arian Zeka në një intervistë, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëhet pjesë e nismës rajonale Ballkani i Hapur.
Edhe pse thotë se Kosova në të gjitha marrëveshjet tjera për tregti të lirë nuk përfaqësohet në mënyrë të barabartë, duhet që patjetër të bëhet pjesë e nismës së iniciuar së fundi nga tre shtetet ballkanike.
Sipas tij, nga kjo do të mundësohej integrim e zhvillim ekonomik i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Oda Ekonomike Amerikane me një deklaratë duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të konsiderojë pjesëmarrjen nismën për krijimin e tregut të përbashkët rajonal të njohur me emrin Ballkani i Hapur. Nismë kjo e tri shteteve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm duke u ulur në tryezën e diskutimeve dhe duke shtyrë përpara kushtet dhe termat tona si shtet ne mund të përfaqësohemi në mënyrë të barabartë dhe duke insistuar në të gjitha ato kushte. Kosova në të gjitha marrëveshjet tjera për tregti të lirë shto këtu edhe atë të Evropës qendrore dhe CEFTA-s nuk përfaqësohet në mënyrë të barabartë”.
“Prandaj avancimi i përfaqësimit tonë duke shtyrë përpara kushtet tona natyrisht që do të mundësojë dhe do të rriste gjasat e përfaqësimit të barabartë tonit si shtet në nismat e ardhshme të integrimit ekonomik të cilat janë të rëndësishme në arritjen e një prosperiteti ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ballkani i Hapur ose nisma e përbashkët për tregun rajonal promovon lirinë së lëvizjes së mallrave, liria e lëvizjes së shërbimeve, liria e lëvizjes së kapitalit dhe liria e lëvizjes së njerëzve”, tha Zeka.
Mes tjerash, Zeka tha se ftohja e raporteve Kosovë-Shqipëri nuk është thjesht çështje spekulimit as medial e as diskursit publik, duke kërkuar bashkëpunim e zbatim të marrëveshjeve të arritura.
“Ftohja e raporteve duket që është diçka tashmë që nuk është thjesht çështje spekulimit as medial e as diskursit publik. Besoj që takimet e përbashkëta të të dyja qeverive mundësojnë avancimin e mëtejmë të raporteve në aspektin pozitiv. Do të duhej të ishte mundësi e mirë për të diskutuar edhe për çështjen e Ballkanit të Hapur”.
“Takimit e përbashkët të dy qeverive e shoh si mundësi diskutimi në nivel teknik të të gjitha marrëveshjeve të cilat janë arritur në të kaluarën dhe ndoshta nuk kanë arritur të zbatohen edhe kësaj dite. Bizneset nuk arrijnë që të vjelin përfitime nga to”,tha ai.