Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë në Samitin e shtatë vendeve më industrializuara (G7) se ai dëshiron që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundojë para se të nisë dimri. Zelensky ka thënë se moti në atë periudhë do ta bënte më të vështirë luftën në fushëbetejë, si dhe u ka bërë thirrje liderëve të G7-ës që të bëjnë maksimumin për t’i dhënë fund luftës para fundit të vitit, ka thënë një burim për agjencinë e lajmeve AFP.

Zelensky u është drejtuar liderëve të G7-ës përmes video-linkut, të cilët janë takuar në Bavari të Gjermanisë. Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia. Zelensky ka kërkuar ndihmë për rindërtim të shtetit, sisteme për mbrojtje, ndihmë për të nxjerrë grurin jashtë shtetit, si dhe garanci për sigurinë. Mes tjerash, Zelensky ka kërkuar që Perëndimi “të mos ulë presionin” dhe të vazhdojë të ndëshkojë ashpër Rusinë, raporton agjencia e lajmeve AFP.