Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar sot se pushtimi i Rusisë ka një qëllim “të thyejë Ukrainën dhe të thyejë të gjithë Evropën përmes Ukrainës”.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kiev me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin italian Mario Draghi dhe presidentin rumun Klaus Iohannis, Zelensky u tha homologëve të tij se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës përbënte një sulm ndaj të gjithë Evropës: “Rusia dëshiron të tregojë se Evropa nuk është në gjendje të jetë efektive dhe se vlerat evropiane nuk funksionojnë për mbrojtjen e lirisë. Ne mund dhe duhet ta thyejmë këtë skenar dhe t’u tregojmë atyre se Evropa do të vazhdojë të jetë e lirë, demokratike dhe … e bashkuar”, u shpreh ai .
Zelensky shpjegoi se mënyra më e mirë për të demonstruar “pozitën tonë të përbashkët dhe të fortë” është duke mbështetur integrimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke shtuar se statusi i Ukrainës si kandidat për anëtarësim në BE “mund të përforcojë lirinë në Evropë historikisht dhe të bëhet një nga vendimet kyçe evropiane.
Zelensky shtio se Ukraina është e gatshme të punojë për t’u bërë një anëtare e plotë e BE-së. “Ne e kuptojmë se rruga drejt Bashkimit Evropian është me të vërtetë një rrugë dhe nuk është një hap. Por kjo rrugë duhet të fillojë dhe ne jemi të gatshëm të punojmë që shteti ynë të shndërrohet në një anëtar të plotë të Bashkimit Evropian dhe Ukrainasit kanë fituar tashmë të drejtën për të nisur këtë rrugë”, tha ai.