Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ajri se si duket situata në Ishullin e Sazanit. Aty shfaqet kreu i Emergjencave Civile i cili po bën një vëzhgim me helikopter, ndërkohë që thekson se ende nuk është ndërhyrë për shuarjen e zjarrit nga ajri.
Kryeministri e shoqëron videon me nje status të ministrit te Mbrojtjes, Niko Peleshi për punën e Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile:
“Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile meritojnë mirënjohje.
I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit është izolimi i vatrave nga toka, duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth çdo vatre…
Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera.”
Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikoptera me kova uji biblik e me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë! Janë të njëjtët shqipo, që në tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, llafe, llafe, llafe…