Pas një operacioni prej 48 orësh për vënien në kontroll dhe fikjen e zjarrit në ishullin e Sazanit, u vlerësua e nevojshme ndërhyrja nga ajri.

Per këtë qëllim një avion tip Canadair CL 415 që vjen nga Greqia aktivizohet sot, herët në mëngjes për shuarjen nga ajri të zjarrit në ishullin e Sazanit. Avioni Canadair CL 415 do të hyje në operacion për shuarjen e zjarrit nga ajri si mbështetje e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Emergency Response Coordination Centre (ERCC), pas kërkesës së bërë nga Agjencia Kombtare e Mbrojtjes Civile. Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës së Shqipërisë.

Ekspertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve në një terren tejet të vështirë, ku megjithë punën e palodhur të forcave tokësore nuk është arritur të izolohen të gjitha vatrat. Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri, puna në terren, krijimi i brezit të shpyllëzimit mbeten thelbësore për izolimin total të zjarrit në një zonë të ish-repartit ushtarak.

Aviont Canadair CL-415 është projektuar posaçërisht për shuarjen e zjarrit nga ajri, por ai mund të kryejë edhe role të tjera të ndryshme, të tilla si kërkim-shpëtimi dhe transport.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Greqi, pas një sërë kontaktesh falenderoi autoritetet atje për përgjigjen në kohë ndaj Shqipërisë.