Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaron se postimi në profilin e tij në Facebook, ku Kryeministri Edi Rama cilësohej “pro serb” është shpërndarë gabimisht. Zëdhënësi zv/Kryeministrit, Klisman Kadiu, përmes një reagimi publik shprehet se gjithcka ka qenë një klikim i pavullnetshëm, i cili më pas është fshirë.
Postimi i zëdhënësit të zv/kryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu:
Postimi në profilin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është shpërndarë gabimisht. Gjatë shfletimit të postimeve në rrjetin social “Facebook”, është klikuar paqëllim butoni i shpërndarjes.
Sapo është vënë re (2 minuta pas shpërndarjes) ajo është fshirë menjëherë. Nuk ka as intencë, as mesazh, pas një shpërndarje të bërë pa qëllim.
Kosova dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie solide bashkëpunimi. Një shpërndarje e tillë e paqëllimshme, nuk duhet të keqpërdoret për të nënkuptuar mesazhe që nuk ekzistojnë.
Asnjë media serioze, nuk e shpërndan një lajm dhe të nxjerrë konkluzione inekzistente, nga një shpërndarje e paverifikuar dhe e larguar menjëherë.
“Ju kam thënë moti që Edi Rama është burrë i mirë, veç që është pak pro serb”, – thuhej në postimin e një qytetari, të cilin e shpërndau Besnik Bislimi nëpërmjet profilit të tij privat në Facebook e më pas e fshiu.