28 korriku shënon datën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA. Me rastin e 100-vjetorit të kësaj marrëdhënieje janë zhvilluar një sërë aktivitetesh si në Shqipëri ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e kremtimit të këtij përvjetori, Kryeministri e nisi me fjalën nga kujtimet e Fan Nolit: “Ishte Dita e Pavarësisë, kur i thashë presidentit Uilson ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, Lirinë. Dhe përgjigjja e tij ishte: Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë.” Këto ishin prej kujtimeve të Nolit, i cili në 4 korrik 1918 mori nga presidenti Uilson premtimin se do ta mbronte Shqipërinë në konferencën e paqes dhe ky është edhe momenti kur mori jetë kjo marrëdhënie kaq speciale. Nuk besoj se ndodh në ndonjë vend tjetër që gjithë qeveria dhe paria e vendit të mblidhen me ambasadoren dhe të kremtojnë ditën kur kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike, por kjo nuk e bën aspak qesharake këtë që ndodh këtu në vendin tonë, sepse ndryshe nga vendet e tjera pa asnjë përjashtim në këtë marrëdhënie ka hyr në mes një histori e pangjashme me asgjë tjetër që ka përcaktuar edhe këtë nivel të marrëdhënieve.
Si sot 100 vjet më parë në 28 korrik 1922, në Ministrinë e Jashtme mbërriti dokumenti zyrtar me njoftimin se SHBA njeh qeverinë shqiptare dhe se Maxwell Blake emërohet ambasadori i parë në Shqipëri.”

Në vijim Kryeministri u shpreh se: “Por në fakt ky nuk është një 100-vjetor që vjen pas një miqësie të lumtur, por vjen pas një historie që është përcaktuese në këtë marrëdhënien sot, historia e ndarjes me dhunë e shqiptarëve nga bota dhe shkëputjes totale të çdo lidhje me SHBA dhe vendosjes në shënjestrën e përditshme të diktaturës komuniste.
Shqipëria është një vend i vogël dhe e ka të domosdoshme një aleat të madh dhe aleat më të madh dhe më të fortë se SHBA as Shqipëria dhe askush tjetër nuk mund të gjejë dot. Për të ardhur sot në këtë ditë kur Shqipëria është ndryshe sa ishte kur u vendosën marrëdhëniet, prandaj ka një kontribut të veçantë kjo miqësi. Nëse do ta mendojmë për një moment rrugëtimin e 30 viteve, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e marrim vetë me mend se çfarë do ishte Shqipëria sot, jo një vend ku po zhvillohet një reformë e thellë në drejtësi, një vend ku vazhdon përpjekja e përditshme për t’u ndarë nga e shkuara.

Sot janë të panumërta arsyet pse kjo është një marrëdhënie e pazëvendësueshme strategjike dhe arsyeja pse ne duhet ta durojmë me buzëqeshje protagonizmin e ambasadores amerikan në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri janë në shtëpinë e tyre, sepse kështu e kanë vendosur shqiptarët dhe se kështu e ka dashur gjithë kjo rrugë, ku pa zërin e SHBA në atë vit kur Noli iu lut presidentit Uilson, Shqipëria nuk do të ekzistonte dhe pa SHBA nuk do të ishte as anëtare e NATO-s dhe Këshillit të Sigurimit.”