Një ditë më parë, 18-vjeçari Anri Kashiku humbi jetën në det, në sektor Rinia gjatë tentativës për të shpëtuar vëllanë e tij të mitur dhe një shokun e tij nga mbytja, ndërkohë sot është përcjellë për në banesën e fundit.
Për t’i dhënë ndihmën e parë dy të miturve që po mbyteshin për shkak të detit të trazuar ka vrapuar edhe roja bregdetare Igli Shahinaj, që punon prej dy vitesh në këtë zonë.
Ai rrëfen se pavarësisht se ishte vendosur flamuri që sinjalizonte pushuesit të mos futeshin në det, dy të miturit kishin hyrë pa lejen e familjarëve të tyre. Shahinaj tregon se hyri në det së bashku me Anrin dhe një punëtor të zonës, por kur po nxirrnin adoleshentët në breg, 18-vjeçari mbeti mbrapa dhe nuk mundën ta shpëtonin.
“Deti ishte me dallgë të mëdha dhe pamë dy persona që kishin hyrë në det pa lejen e familjarëve. Ngaqë kishim flamurin që nuk lejohej të futeshe në det vrapuam për të ndihmuar dy të miturit që nuk i dëgjonin thirrjet. Bashkë me mua erdhi vëllai i tij dhe një punëtor i zonës. Vrapuam të nxirrnim me shpejtësi dy të miturit, por personi i tretë që ishte me ne mbeti prapa. Kur kthyem kokën pamë vetëm kapelen. Nxituam të afroheshim, por gjithçka ishte e kotë, sepse vetëm kapelja ishte aty dhe nuk mundëm ta ndihmonim dot”, – thotë ai.
Për ngjarjen tragjike reagoi dhe policia e Durrësit e cila theksoi se pas ndihmës së dhënë, fëmijët janë nxjerrë në breg, ndërkohë që 18-vjeçari nuk ka mundur të dalë dot, pasi është mbytur për shkak të dallgëve të larta.
Sipas policisë, “roja bregdetare, shtetasi I. Sh., e kishte vendosur sipas rregullores flamurin e kuq, shenjën paralajmëruese për të mos u futur në det, pasi dallgëzimi ishte i lartë”. Ndërkohë 18-vjeçarit Anri Kashiku përcillet pasditen e sotme për në banesën e fundit. Vdekja e tij tragjike tronditi të gjithë komunitetin e zonës.