Ministrja e Arsimit Evis Kushi reagoi pas akuzave të deputetes së PD-së, Albana Vokshi mesditen e sotme para SPAK-ut duke theksuar se në fakt, ishte ajo që e kishte paditur në prokurori për shpifje dhe jo e kundërta.

“Keqardhje që edhe sot mashtroi përpara medias duke deklaruar që unë kam tentuar që ajo të tërhiqet nga denoncimet. I kujtoj deputetes që është e akuzuara në këtë çështje, dhe jam unë ajo që e kam ngritur këtë padi dhe e kam akuzuar për shpifje. Është guxim i madh të mashtrosh edhe mbi deklaratat brenda seancës në gjykatë, të cilat janë të dokumentuara dhe lehtësisht të verifikueshme”, tha Kushi në lidhje me Vokshin, e cila tha se nuk kishte pranuar të pajtohej me ministren në seancën e parë gjyqësore pas padisë për shpifje.

 

“Me besimin e patundur tek drejtësia e re, unë do t’i shkoj çështjes deri në fund, me qëllim për të kontribuar për një politikë të ndershme, pa shpifje dhe pa mashtrime”, tha Kushi.

 

Kjo e fundit paditi Albana Vokshin për shpifje në lidhje me daljen e testit të maturës.