Shumë sende të epokës naziste u ekspozuan në një ankand në Maryland, SHBA, duke përfshirë orën e artë të Adolf Hitlerit që u shit për 1.1 milionë dollarë (1.08 milionë euro) dje. Siç raporton rrjeti gjerman “n-tv”, ankandi i objekteve naziste kishte ngjallur një reagim të fortë nga Shoqata Evropiane e Hebrenjve, duke kërkuar anulimin e tij.
Ora e artë që i përkiste liderit të partisë naziste është e dyanshme dhe e gdhendur me shqiponjën perandorake, sipas Alexander Historical Auctions. Në fund, ajo u shit për një çmim shumë më të ulët se vlerësimi fillestar i shtëpisë (2 deri në 4 milionë dollarë), siç komenton botimi gjerman.
Historia e orës së artë të Hitlerit
Sipas Alexander Historical Auctions, ora e artë me dy anë iu dha si dhuratë Adolf Hitlerit në ditëlindjen e tij të 44-të më 20 prill 1933 nga zyrtarë të Partisë Nacional Socialiste.
Ishte një ditë e rëndësishme, pasi ishte ajo kur diktatori u shpall – së bashku me ish-kancelarin Paul von Hindenburg – qytetar nderi i Bavarisë. Pjesa kryesore e orës rrotullohet sipas pamjes që dëshiron mbajtësi.
Njëra është ora në një sfond të zi me detaje ari të rrethuara nga një dizajn binar treni. Pjesa e pasme e saj, e cila rrotullohet, paraqet një shqiponjë në një kapak të rrethuar nga data të rëndësishme naziste dhe më poshtë, inicialet e Adolf Hitlerit. Përveç kësaj, ajo ka rripin origjinal prej lëkure krokodili.
Ora ishte marrë nga streha e Hitlerit prej ushtarit francez Pobert Minotte, së bashku me dokumentet që vërtetonin vërtetësinë e saj. Kur mbaroi lufta, ai ia shiti kushëririt të tij, megjithatë plaçka mbeti në pronësi të familjes së tij deri më sot, pasi konsiderohej një trashëgimi e rëndësishme familjare. Në fund të fundit, e gjithë plaçka që lidhej me Hitlerin konsiderohej shumë e rëndësishme, pasi vërtetonte praninë e pronarëve në forcat që ndoqën nga afër diktatorin.
“Shitja e këtyre artikujve, e papranueshme”
Ankandi i objekteve të epokës naziste në Maryland ka tërhequr kritika të ashpra nga organizata izraelite Shoqata Evropiane e Hebrenjve (EJA) duke bërë thirrje për anulimin e ankandit.
“Shitja e këtyre artikujve është e papranueshme”, argumentoi presidenti i organizatës (EJA), rabini Menachem Margolin në një letër të hapur drejtuar organizatorëve të ankandit. Letra u nënshkrua nga të paktën 30 përfaqësues hebrenj nga Evropa dhe Izraeli, duke përfshirë Shoqatën Gjermano-Izraelite të Berlinit.
Vlen të përmendet se, përveç orës së artë të Hitlerit, një pikturë me bojëra uji e Fyhrer-it u shit në ankand për 32,500 dollarë, ndërsa shqiponja perandorake që besohet të jetë në Kancelarinë e Rajhut të Tretë në Berlin, arriti në 200,000 dollarë.