Kryeministri Edi Rama dekoroi “Dëshmor i Atdheut” Anri Kashikun, të riun kurajoz 18-vjeçar që humbi jetën të enjten e kaluar për të shpëtuar nga mbytja vëllain dhe shokun e tij.

Gjithashtu u vlerësua me medalje të artë edhe vrojtuesi Igli Shahinaj, i cili me ndërhyrjen e tij të menjëhershme dha një kontribut të çmuar në shpëtimin e dy të miturve.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se:” Bëhet fjalë për nderimin e një “Dëshmori të Atdheut”, për një akt heroik dhe për një shembull jashtëzakonisht frymëzues e njëkohësisht shumë prekës, për të cilin na takon ta shprehim respektin më të thellë. Të enjten e kaluar nuk ishte vetëm familja, të afërmit, miqtë, komuniteti po gjithë Shqipëria që u prek në zemër edhe që me mëndje qëndroi për një moment tek ky i ri, që kishte pasion futbollin, donte të bëhej një futbollist i njohur dhe që nuk ia doli dot pasi fati e vendosi në sprovën e një ndeshje midis jetës dhe vdekjes.

Ai u bë heroi i të vëllait dhe i gjithë shqiptarëve dhe përfitimi i këtij statusi natyrisht që nuk e shuan pikëllimin e thellë të familjarëve nuk e shuan dhimbjen e tyre, por mbase lehtëson sadopak një plagë që fatkeqësisht do të qëndroj aty në zemrën e familjarëve. Nga ana tjetër është një detyrim i yni të nderojmë çdo shqiptar, në radhë të parë njerëz të zakonshëm, të panjohur që vijnë nga familje të zakonshme, si babai i Anrit.”

“Qeveria është zotuar që t’i mbrojë të rënët kudo në Shqipëri dhe ky çmim u përmbush me ligjin për “Fëmijët e Republikës”, në këtë rast vetë Anri ishte një fëmijë dhe ai u bë një simbol i një vetëmohimi ekstrem për të përmbushur një mision. Mjekët që humbën jetën gjatë pandemisë, ua sjell rruga e profesionit, ndërsa disa të tjerëve ua sjell një moment i gabuar që askush nuk e ka në dorë, po që bëjnë heroikisht gjënë e duhur dhe nëse Anri nuk do të ishte sakrifikuar, jetët e humbura do të ishin dy” deklaroi Rama.

Kryeministri shprehu mirënjohjen dhe falenderoi të gjithë grupin e vrojtuesve në të gjithë vijën e plazhit që janë çdo vit e më të organizuar dhe efikas në veprimet e tyre. Ai shtoi se me dekorimin e Igli Shahinaj duhet t’ju kujtojmë të gjithë shqiptarëve se puna e vrojtuesve është një punë e cila në një moment mund të kërkojë një sakrificë ekstreme.