Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i ish-efektivit të RENEA-S Remal Rada. Një pjesë e sasisë së municionit luftarak që iu gjetën ish-efektivit të RENEA-S në banesë janë fishekë të kalibirit 10mm që përdoren për llojin e armës pistoletë “Glock 20”.

Këto fishekë përdoren dhe i kanë në dispozicion vetëm forcat speciale.

Shumë e vështirë të gjenden në tregun e zi dhe detaji i veçantë i këtyre fishekëve është që ndryshe nga fishekë të tjerë janë model që kur bien në kontakt me trupin e njeriut hapet në disa pjesë dhe ngec në organet jetësore dhe ka probabilitet më të lartë të vdekjes.

Këto fishekë kanë probabilitetin më të lartë të finalizimit te atentateve.

Policia e Tiranës njoftoi mëngjesin e sotëm se gjatë mbrëmjes kishin vënë në pranga shtetasit Remal Rada, 39 vjeç dhe Elton Hithi, 28 vjeç gjatë operacionit policor të koduar “Double strike”, pasi në automjetin me të cilin udhëtonin u gjend një arsenal i vërtetë armësh.

Ajo që bie në sy në videon e shpërndarë nga policia është çanta e kuqe që gjendet në bagazhin e mjetit të zi me targa angleze, ku shihet një snajper. Mësohet se snajperi i përket Remal Radës, i cili është një ish-efektiv i forcave RENEA.

Rada ka shërbyer për një kohë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit dhe ishte larguar nga detyra rreth 3 muaj më parë.

Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin ish-efektivin e RENEA-s dhe pasagjer shtetasin Elton Hithi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri snajper, targa të huaja, një mjet identifikimi ai ato të Policisë dhe një pult për hapjen dhe mbylljen e targave të mjetit.

Në vijim të kontrollit, në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën një armë zjarri pistoletë, dy palë dylbi dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.