Një 28-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia greke në ishullin e Mykonos për shitje të lëndëve narkotike.

Mediat greke raportojnë se i riu, kishte kthyer banesën e partneres së tij greke, në një pikë shitje të lëndëve narkotike, nga kokaina, tek kanabisi dhe lëndë të tjera sintetike.

Shqiptari është arrestuar në flagrancë teksa po i shiste kokainë një 35-vjeçari izraelit. Më pas, efektivët e policisë ushtruan kontroll në banesën ku jetonte shqiptari dhe partnerja e tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan disa doza kokaine dhe kanabisi, si dhe një sasi prej 0.7 gramë drogë sintetike MDMA.

Gjithashtu në shtëpi janë gjetur edhe shuma të mëdha parash. Konkretisht janë sekuestruar 22.780 euro, 570 dollarë amerikanë, 420 paund britanikë, 25 dollarë kanadezë, 115 dirhemë të Emirateve të Bashkuara Arabe, 200 lekë shqiptare, 55 dollarë australianë dhe 20 franga zvicerane nga shitja e drogës për turistë të kombësive të ndryshme!

Çifti u dërgua në Prokurorinë e Rrethit Siros për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.