Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Harta”. Në pranga ka rënë 52-vjeçari, Admir Gozhupa em detyrë topograf i cili kundrejt korrupsionit jepte dokumenta zyrtare.

“Pajisi një shtetas me dokument zyrtar, në këmbim të ryshfetit, vihet në pranga 52-vjeçari, me detyrë topograf. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas një hetimi 1-mujor, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Harta”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– A. G., 52 vjeç, me detyrë topograf, pranë Njësisë Administrative Qendër, Vlorë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”, pasi nga hetimet rezulton se ky shtetas, kundrejt pagesës, ka pajisur me një dokument zyrtar, një shtetas”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.