Qeveria shqiptare prezanton projektligjin për Amnistinë Fiskale, për të cilin ka nisur sot edhe konsultimet publike me një panel ekspertësh. Gjatë prezantimit ka folur përmes një videomesazhi edhe Edmond Guri, avokat dhe aktivist për çështjet e emigracionit në Greqi, i cili thekson se emigrantët shqiptarë e kanë mirëpritur nismën për disa arsye.
“Ne si komunitet që jetojmë jashtë, jemi pozitivë për nismën, duke marrë parasysh se më shumë se 600 mijë shqiptarë jetojnë në Grëqi, të cilët duke u përpjekur për t’u integruar në jetën ekonomike u është dashur të punojnë në të zezë. Këto janë të ardhura djerse dhe mundi të familjeve të cilët në një moment duhet ta shohin mundësinë për t’u integruar në Shqipëri”, tha Guri.
Avokati shtoi se janë 25 mijë biznese në Greqi që janë në interes të drejtpërdrejtë të shtetasve shqiptarë, ose të cilët janë bashkëpronarë të këtyre bizneseve, të cilët kanë interes për të investuar nesër dhe të kryejnë shitblerje në Shqipëri.
Sipas tij, është e domosdoshme që diaspora të mund të investojë në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare.