Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock akuzoi sot ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov për refuzimin e hyrjes në negociata pasi u largua herët nga samiti G20, në Bali.

“Fakti që ministri i Jashtëm rus kaloi një pjesë të madhe të negociatave jo në dhomë, por jashtë saj, tregon se nuk ka aspak vullnet për të biseduar nga ana e qeverisë ruse për momentin”, tha Baerbock në ishullin turistik indonezian të Balit.

Baerbock theksoi se Lavrov nuk ishte i pranishëm në bisedimet për të shqyrtuar mënyrat për përmirësimin e problemeve globale të furnizimit dhe shpërndarjes së ushqimit, të cilat janë përkeqësuar nga lufta ruse në Ukrainë.

“Shumica e përfaqësuesve në takim dënuan luftën brutale të agresionit të Rusisë”, tha Baerbock. “Apeli i të 19 shteteve ishte shumë i qartë për Rusinë: kjo luftë duhet të përfundojë,” tha ajo. Në mbrëmje, Baerbock pritet të vizitojë shtetin ishull Palau në Paqësorin Jugor.