Matajs de Ligt është mbrojtësi që të gjitha duan, madje edhe Juventusi nuk do të donte kurrë që të hiqte dorë, nëse nuk do të ishte vetë lojtari ai që kërkon të lërë Torinon, pas dy vendeve të katërta që nuk e kanë kënaqur aspak.
Madje, 22-vjeçari ka vendosur që të kushtëzojë edhe destinacionin, Bajernin e Mynihut, duke shtyrë Çelsin që gjithashtu ishte ngritur në shifra të frikshme apo edhe Liverpulin e Mançester Junajtidin e ish-trajnerit të tij, Erik Ten Hag, në kohët e Ajaksit.
Dhe nëse nga Gjermania saktësojnë se tashmë gjithçka është mbyllur në aspektin financiar mes De Ligtit dhe Bajernit të Mynihut, të vetmit që duhen “zbutur” janë drejtuesit e Juves, që vazhdojnë të mbrohen me klauzolën.
Gjithsesi, dje hapi i parë e kampionëve të Bundesligës është bërë zyrtarisht: 90 milionë euro për kartonin e gjigantit të prapavijës, 75 milionë kesh, ndërsa 15 milionë të tjera në formë bonusesh për 5 vitet e ardhshme.
Por “Zonja e Vjetër” nuk është se është joshur menjëherë, përkundrazi, ka vazhduar të provokojë, duke refuzuar me ftohtësi këtë shifër marramendëse.
Në Torino, të paktën siç saktësojnë burimet e “Bild”, janë mbrojtur duke i kujtuar Bajernit të Mynihut shpenzimin e tyre të bërë për Lukas Hernandezin, të cilit iu pagua menjëherë dhe pa bonuse klauzola 80 milionëshe, prandaj edhe te Juventusi këtë duan të arrijnë:
Kuotën 120 milionë euro të klauzolës në kontratën e holandezit. Shkurt, për të arritur deri te firma e De Ligtit me Bajernin do të duhen ende pak punë, madje kjo çështje mund të shndërrohet edhe në një telenovelë të gjatë, pasi sa më shumë të zgjaten kohët, aq më tepër kjo gjë ndihmon klubet e tjera si Çelsi, për shembull, që të rikthehen në luftë për “Tulipanin”./Panoramasport