Në kuadër të Simpoziumit Ndërkombëtar Symi që po zhvillon punimet në Athinë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë në panelin “Implikimet e luftës në Ukrainë: Kriza e ushqimit”, ku i pranishëm ishte dhe ministri gjerman i Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Ozdemir.

Në këtë panel u diskutua me ministrin Ozdemir mbi qasjet e përbashkëta në nivel europian të politikave në sektorin e ushqimit në përgjithësi dhe prodhimit të drithërave në veçanti.

Balla tha se “Ukraina është një prodhues i rëndësishëm botëror drithërash, që prodhon gjithashtu edhe gjysmën e vajit të lulediellit në botë”.

“Ukraina përbën 15% të tregtisë globale të misrit dhe 10% të tregtisë globale të grurit. Agresioni rus kundër Ukrainës ka ndërprerë eksportet e këtyre prodhimeve, me ushtrinë pushtuese ruse që vazhdon t’i bllokojë drithërat në portet e Detit të Zi të Ukrainës”, theksoi Balla.

Balla theksoi se “kjo krizë globale e bën të domosdoshëm bashkëpunimin më të ngushtë midis vendeve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor për të adresuar së bashku efektet dhe pasojat negative të saj”.