Transferimi i Robert Lewandowski-t te Barcelona është shumë afër tashmë, me operacionin që pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme nga klubi blaugrana.

Sulmuesi polak do t’i japë fund aventurës së tij, të pasur me suksese dhe gola, me skuadrën bavareze dhe do të transferohet te Barça pasi ka shprehur dëshirën për të provuar një eksperiencë të re.

Ka qenë Oliver Kahn, legjendë dhe drejtues i klubit bavarez, që ka konfirmuar transferimin e Lewandowski-t në kampionatin spanjoll:

“Kemi arritur një marrëveshje verbale me Barcelona-n për Lewandowski-n. Tani duhet të kompletojmë vetëm transferimin e dokumenteve”, ka thënë ish-portieri për Bild Sport.

“Shitja e tij nuk ka ndodhur më parë se nuk kishte një ofertë të përshtatshme për vlerën e lojtarit. Tani ka ardhur një ofertë e re ekonomike dhe janë të gjitha kushtet për ta realizuar transferimin”.

Po kush do të jetë zëvendësuesi i Lewa-s në qendër të sulmit të Bayern Munich? Nuk shuhen zërat veçanërisht për Cristiano Ronaldo-n, i cili është gati për divorcin me Manchester United.

Megjithatë, Hasan Salihamidzic ka përjashtuar mundësinë e një oferte për ish-yllin e Juventus-it: “E dini sa shumë e respektoj Cristiano-n, për karrierën dhe për të gjitha sukseset e tij.

“Por e përsëris edhe një herë: Ronaldo nuk bën pjesë në planet tona”, ka thënë drejtori sportiv i Bayern-it për Sport1.