Ministria belge e Punëve të Jashtme ka akuzuar hakerët kinezë për kryerjen e sulmeve kibernetike kundër Ministrisë Federale të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, dhe tani po u bën thirrje autoriteteve kineze të marrin masat e nevojshme për të hetuar dhe trajtuar situatën.

“Belgjika dënon fuqishëm këto sulme kibernetike keqdashëse, të cilat bien ndesh me standardet e sjelljes së përgjegjshme të shteteve të miratuara nga të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara”, tha Ministria belge e Punëve të Jashtme

“Sulmet kibernetike kundër qeverisë belge kanë ndikuar në mënyrë të konsiderueshme sovranitetin tonë, demokracinë tonë, sigurinë dhe shoqërinë tonë”, vijon reagimi.

Qendra e Sigurisë Kibernetike e Belgjikës ka sugjeruar më parë se sulmet kishin si synim mbledhjet e informacionit sekret.

Hakerët kinezë kanë sulmuar në Ministrinë e Brendshme për dy vjet, ndërsa sulmet ndaj Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2021 rezultuan që rrjeti i Ministrisë të shkëputej nga interneti për javë të tëra dhe stafi i saj të mos ishte në gjendje të komunikonte me email.

Mediat belge kanë akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes për një protokoll të pamjaftueshëm të sigurisë kibernetike pasi bleu qindra ruterë wifi Huawei në fillim të vitit 2022. Pajisjet Huawei konsiderohen si një kërcënim sigurie nga qeveri të ndryshme, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, duke vendosur të ndalojnë kompaninë të punojë në shpërndarjen e saj 5G për shkak të shqetësimeve të shkeljeve të sigurisë nga Kina. Përveç kësaj, Mbrojtja e Belgjikës ka blerë pajisje për mbikëqyrje video nga kompanitë kineze, Hikvision dhe Dahua, të cilat kanë defekte në sistemin e tyre dhe mund të jenë të lehta për tu hakuar.