Këtë të shtunë, Ministria e Mbrojtjes në Serbi ka ftuar të rinjtë dhe të rejat, të cilët këtë vit mbushin 19 deri në 30 vjeç, që të aplikojnë për shërbimin vullnetar 6-mujor ushtarak.
Në një deklaratë, Ministria ka thënë se regjistrimi, i cili zgjat deri më 31 gusht, është në proces.
Ata deklaruan se edhe ushtarët në shërbim vullnetar ushtarak do të marrin pagë mujore prej rreth 38 mijë dinarë (pak më shumë se 320 euro).
Për kohëzgjatjen e shërbimit vullnetar ushtarak me armë, ushtarakut i sigurohet rimbursimi i shpenzimeve të udhëtimit, sigurimit shëndetësor, akomodimit, ushqimit, veshjeve dhe këpucëve ushtarake.
Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, ata kanë mundësinë të bëhen menjëherë pjesëtarë profesionistë të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Kushdo që shpreh dëshirën për t’u bërë ushtar profesionist do të mund ta bëjë këtë sipas një procedure të përshpejtuar dhe të nënshkruajë kontrata menjëherë pas përfundimit të shërbimit vullnetar.
Ministri serb i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviç tha më 9 maj se Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria Serbe kanë formuar grupe punuese që analizojnë të gjitha segmentet që kanë të bëjnë me detyrën e caktuar dhe planifikojnë mundësinë e rikthimit të shërbimit të rregullt ushtarak.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka theksuar më 6 maj se propozon që në Serbi të vendoset shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili do të zgjasë 90 ditë.
Dhjetë organizata joqeveritare kundërshtuan futjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi.
Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011. Që atëherë, shkuarja në ushtri është vetëm vullnetare.
Pas njoftimit se shërbimi i detyrueshëm ushtarak mund të futet sërish në Serbi, disa nga beogradasit, me të cilët bisedoi ekipi i Radios Evropa e Lirë (RSE), nuk e ndanë entuziazmin e deklaratave të zyrtarëve.