Nga Mero Baze/
Në fushatën e Berishës brenda Partisë Demokratike kundër Lulzim Bashës, akuzat kryesore që ju bën Bashës ishin djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale, si dy vendime me të vërtet fatale që i lehtësuan mandatin e tretë Edi Ramës.
Edhe pse të gjithë janë të qart se pas vendimeve ishte Sali Berisha dhe Ilir Meta, retorika kundër këtyre kateve radikale të Lulzim Bashës bëhej e besueshme dhe ngjante si reflektim i Partisë Demokratike kundër rrugës revolucionare.
Pra në një farë mënyre filloi të pranohej ideja se opozita po piqet dhe po pranon që me akte të tilla revolucionare nuk fiton dot nëse nuk krijon frymë për të fituar pushtetin me zgjedhje.
Në të njëjtën kohë u duk se Sali Berisha ishte kritik për rrugën radikale të Lulzim Bashës e cila në fakt është gjesti më radikal që ka bërë ndonjëherë ndonjë lider opozitar në Shqipëri.
Por ajo që po ndodh tani pasi Berisha mendon se ka marr kontrollin mbi Partinë Demokratike tregon se Sali Berisha është ithtar i revolucionit. Ai fjala vjen ka dy ditë që është në qiell të shtat duke postuar e ripostuar skenat e një sulmi në rezidencën e presidentit të Sri Lankës, nga populli që ka mbetur pa naftë, apo që deklaron se nuk do të njoh zgjedhje të humbura dhe nuk do shkoj në zgjedhje pa rrëzuar Edi Ramën.
Pra gjithë egzaltimi i Berishës aktualisht nuk lidhet me ndonjë rrugë politike për të ardhur në pushtet por me ushqimin e shpresës që do përmbys pushtetin që nuk do njoh zgjedhjet apo që nuk do hyj në zgjedhje me Edi Ramën.
Po a nuk bëri këto Lulzim Basha tri vite më parë, madje në mënyrë më të moderuar se kaq dhe Berisha ja quajti gabime që i kanë kushtuar rënd PD? A nuk ishin gazetarët që këshilluan Lulzim Bashën për djegie mandatesh dhe bojkot zgjedhjesh që pas humbjes e akuzonin se i bëri ato për ti shërbyer Edi Rams? A nuk ishte e gjithë fushata kundër Lulzim Bashës e mbushur me reflektime të PD për të hequr dorë nga rruga revolucionare ?
Tani Sali Berisha duhet ta ndaj nëse Basha gaboi se u bë radikal, dogji mandatet dhe nuk hyri në zgjedhje lokale, apo se tentoi të ndryshoj lidershipin e opozitës duke sjellë njerëz të rinj dhe duke u distancuar nga Berisha.
Ta ndaj që ta dinë dhe demokratët ku të shpresojnë më shumë, tek kjo rruga e re revolucionare e Berishës, d.m.th. përmbysja me dhunë dhe mos njohje humbjesh, apo tek ndryshimi i opozitës dhe ngjallja e shprese përmes ristrukturimit të saj.
Duket që Berisha po përpiqet tu mbush mendjen se do vijnë në pushtet me revolucion, pasi vetëm kjo mënyrë i jep atij qetësinë të jetë i vetëm në krye të PD edhe pse ajo s’do vij kurrë në pushtet. Rruga tjetër e detyron të zbres nga froni para zgjedhjeve.
Ndaj për këtë është gati të lëpijë çfarë ka pështyrë mbi Lulzim Bashën “si radikal”, vitin e fundit . Vërtet kjo rrugë mund it ketë prishur punë PD dhe mund it prish, por është e vetmja rrugë që i siguron Berishës edhe dy tri vite një bunker ku ka keqkuptimin që mbrohet.