Presidenti Joe Biden dhe kryeministri izraelit në detyrë, Yair Lapid, shprehën publikisht qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën më të mirë përballë kërcënimeve të programit të armëve bërthamore të Iranit. Dy udhëheqësit nënshkruan një deklaratë të përbashkët sigurie. Ndërkohë, Presidenti Biden ishte sot në qytetin e Betlehemit të Bregut Perëndimor për bisedime me presidentin palestinez Mahmoud Abass.
Presidenti Biden u takua sot me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Bregun Perëndimor për t’i shprehur qëndrimin amerikan për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez. Para takimit Presidenti Biden njoftoi një paketë ndihme për institucionet mjekësore atje. “Kam kënaqësinë të njoftoj se Shtetet e Bashkuara po ofrojnë 100 milionë dollarë shtesë për të mbështetur spitalet dhe stafet tuaja që punojnë për popullin palestinez”.
Të enjten Izraeli e nderoi udhëheqësin amerikan me Medaljen Presidenciale të Nderit.
Por më herët, Presidenti Biden dhe kryeministri izraelit në detyrë Yair Lapid nuk u pajtuan mbi mënyrën se si duhet të ndalohet Irani që të shtjerë në dorë armë bërthamore. “Diplomacia nuk do t’i ndalojë ata. E vetmja gjë që do ta ndalojë Iranin është se ata duhet ta dinë se nëse vazhdojnë me zhvillimin e programit bërthamor, bota e lirë do të përdorë forcën. Rruga e vetme për t’i ndaluar ata është një kërcënim ushtarak i besueshëm”, tha kryeministri izraelit në detyrë Yair Lapid.
Presidenti Joe Biden tha se një Iran pa armë bërthamore është një “interes jetik sigurie” për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. “Vazhdoj të besoj se diplomacia është mënyra më e mirë për ta arritur këtë rezultat”, tha Presidenti Biden.
Izraeli e kundërshtoi marrëveshjen e vitit 2015 për të kufizuar programin bërthamor të Iranit në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve. Uashingtoni po përpiqet ta ringjallë marrëveshjen në disa mënyra, përfshirë bisedimet indirekte në Vjenë.
Teherani mbron qëndrimin se programi i tij bërthamor ka synime paqësore dhe do të përdoret për prodhimin e energjisë.
Pas nënshkrimit të Deklaratës së Jeruzalemit për sigurinë, ku Presidenti Biden dhe Kryeministri Lapid u angazhuan që të mos lejojnë kurrë Iranin të shtjerë në dorë armë bërthamore, presidenti iranian Ebrahim Raisi reagoi ashpër.
“U them amerikanëve dhe aleatëve të tyre rajonalë se kombi iranian nuk do të pranojë asnjë krizë, apo pasiguri në rajon dhe se çdo gabim i bërë në këtë rajon do të përballet me një përgjigje të ashpër dhe për të ardhur keq”, u shpreh presidenti iranian. Për t’ju kundërvënë Iranit, Uashingtoni po nxit lidhje më të thella mes Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë, përfshirë procesin e integrimit të sistemeve ajrore të mbrojtjes rajonale.
“Kjo do të thotë se secili prej vendeve do të ketë më shumë kohë për të reaguar, më shumë alternativa, gjë që ndihmon Shtetet e Bashkuara të frenojë konflikte sepse ka më shumë kohë për të vepruar”, thotë për Zërin e Amerikës profesori Jonathan Rynhold, specialist për marrëdhëniet izraelito-amerikane në Universitetin Bar Ilan në Tel Aviv. Të enjten, Presidenti Biden dhe Kryeministri Lapid morën pjesë në takimin virtual I2U2, një partneritet i ri mes Indisë, Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara për të trajtuar sigurinë ushqimore dhe energjinë e pastër.