Numri i të vdekurve nga sulmi rus në një bllok banesash në Donetsk është rritur në 34, sipas zyrtarëve ukrainas.
Ndërtesa e banimit në qytetin e Chasiv Yar u godit të shtunën në mbrëmje pasi Rusia i shtoi edhe një herë sulmet e saj mbi qytetet dhe qytezat në Ukrainën lindore në një përpjekje për të marrë kontrollin mbi të gjithë zonën e Donbasit .
Të paktën 34 njerëz vdiqën dhe të paktën nëntë u plagosën në sulm, tha Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Donetsk, në kanalin e tij zyrtar Telegram të martën. Njëri prej viktimave ishte i mitur.
Operacioni i shpëtimit po vazhdon dhe shërbimet e urgjencës kanë pastruar rreth 70% të rrënojave, tha Kyrylenko.
Chasiv Yar dhe qytete të tjera në Donetsk kanë qenë nën bombardimet ruse ditët e fundit, ndërsa forcat ruse përpiqen të mposhtin rezistencën ukrainase në zonë dhe të lëvizin më në perëndim drejt Kramatorskut dhe Slovianskut.