Tani është koha të fokusohemi në ndërmjetësimin e një armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës, deklaroi ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, pas marrëveshjes së javës së kaluar për eksportet e grurit ukrainas.
Duke folur në një konferencë për shtyp me homologun e tij gjeorgjian, Ilia Darchiasvili, shefi i diplomacisë turke vlerësoi marrëveshjen e eksportit të grurit, të nënshkruar të premten e kaluar në Stamboll me Kombet e Bashkuara (OKB), Rusinë dhe Ukrainën.
“Falë marrëveshjes janë hequr jo vetëm pengesat për eksportin e grurit ukrainas, por edhe ato për grurin dhe një substancat kimike ruse, duke ndihmuar në ushqyerjen e një “bote të uritur”, theksoi Çavusoglu.
Marrëveshja u arrit nga palët pas bisedimeve në Istanbul për të formuar një qendër koordinimi për të kryer inspektime të përbashkëta në hyrjet dhe daljet e porteve dhe për të garantuar sigurinë e rrugëve.
E vlerësuar në nivel ndërkombëtar për rolin e saj ndërmjetësues, Turqia ka ndërmjetësuar mes Moskës dhe Kievit për të hapur një korridor nga porti ukrainas i qytetit të Odesës për të filluar dërgesat globale të grurit, që janë bllokuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë që nisi më 24 shkurt.
Duke shpresuar se marrëveshje do të zbatohet pa asnjë ndërprerje dhe problem, Çavusoglu tha se gruri mund të transportohet edhe në vendet që kanë nevojë urgjente.
“Nëse marrëveshja e Stambollit zbatohet me sukses, besimi mes Rusisë dhe Ukrainës mund të rritet jashtëzakonisht shumë”, theksoi Çavusoglu.
“Tani është koha të fokusohemi në një armëpushim. Ky nuk është vetëm një proces që do të kryhet në nivelin e ministrave të Jashtëm”, tha Çavusoglu, duke shprehur gatishmërinë e Turqisë për të organizuar dhe ndërmjetësuar bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës drejt paqes së qëndrueshme.