Qeveria miratoi sot parimisht marrëveshjen ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u shpreh sot se, “në mbledhjen e qeverisë, për Ministrinë e Mbrojtjes janë miratuar 3 vendime, por do të veçoj një prej tyre, i cili besoj është edhe një zhvillim pozitiv dhe një lajm i mirë edhe për publikun e gjerë. Bëhet fjalë për pr/vendimin për miratimin në parim për miratimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile”.

“Besoj e keni përcjellë edhe pak javë më parë me rastin e vizitës së Komisionerit për Emergjencat Civile, Lenarcic, ne i kemi dorëzuar kërkesën, aplikimin dhe tani jemi në fazën finale të anëtarësimit në këtë mekanizëm. Është një Mekanizëm që ka brenda vetes vende të Be, por edhe partnerë jashtë BE”, tha Peleshi.

“Sot Shqipëria është një vend që sapo ka filluar bisedimet formale të anëtarësimit të plotë në BE dhe anëtarësimi në këtë mekanizëm të BE është pjesë e gjithë procesit integrues në BE”, tha ai.

Peleshi tha se, “kjo marrëveshje na jep më shumë akses, na jep më shumë prioritet në përgjigjeje të gjithë vendeve përbërëse të këtij mekanizmi në raste të fatkeqësive natyrore dhe emergjencave”.

“Sot që flasim jemi në fillim ka 2 javë që ka filluar, disi më herët se herët e tjera sezoni i zjarreve. Çdo vit vjen me temperatura më të larta, për shkak edhe të ngrohjes globale siç e dini dhe kjo sjell më shumë vatra zjarri”, u shpreh Peleshi.

“Për shembull, ndonëse nuk kemi hyrë akoma në gushtin, pra në periudhën më të nxehtë të verës deri tani kemi menaxhuar 300 vatra zjarri. për fat të mirë nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe kjo është kryesorja. Prioritet absolut. Nuk kemi pasur dëme banesash. Kemi pasur dëmtime dhe djegie të sipërfaqeve të gjelbra, por është shmangur deri tani me sukses më e keqja. Jemi në gatishmëri të plotë i gjithë sistemi i emergjencave civile që fillon nga pushteti vendor deri tek FA./ Sot që flasim janë 3 vatra serioze. Një në Oroash, një tjetër në Shetaj në Durrës he një vatër e re më e vogël në Selenicës të Vlorës. Kemi të alokuar krahas punonjësve të Zonave të Mbrojtura, pushtetit vendor, zjarrfikësve të bashkive edhe trupa dhe mjete nga FA”, theksoi Peleshi.

“Gjithashtu jemi në gatishmëri dhe kemi punuar gjatë gjithë kohës edhe me mjete ajrore aty ku ka qenë e nevojshme. Pra për hedhjen e ujit nga ajri përmes helikopterëve. Deri tani e kemi menaxhuar mirë. Sezoni përpara do të jetë i vështirë. Ndaj kërkoj më shumë bashkëpunim nga bashkitë dhe nga komuniteti për sinjalizimin e hershëm në mënyrë që të evitojmë sa më shpejt dhe të mos kemi dëme së pari në njerëz pastaj në pasurinë e qytetarëve dhe patjetër dhe në pasurinë tonë natyrore”, tha Peleshi.