Kryeministri Edi Rama duket se ka planifikuar që ta mbyllë sezoni politik para pushimeve me një manifestim me pjesëmarrje masive në sheshin “Skënderbej”.

Lëvizja e tij, disi e justifikuar me një festë gjigande për vendimin e Bashkimit Europian për të çelur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, duket se është edhe një përgjigje politike ndaj protestës së 7 korrikut të Partisë Demokratike.

Burime bëjnë me dije se instruksionet për këtë organizim janë dhënë në takimin djeshëm të Ramës me drejtuesit e rinj të degëve të Partisë Socialiste.

Kryeministri ka lënë porosi për organizimin e një manifestimi të madh që pritet të mbahet më datë 28 korrik në orën 19:00. pas takimit me Ramën drejtuesit politik të qarqeve kanë zhvilluar takime informale me kryetarët e degëve, ku u kanë lënë porosi që të mbledhin sa më shumë qytetarë në manifestim.

Ndërkohë manifestimi që Partia Socialiste po përgatit vjen vetëm 4 ditë pas largimit të Presidentit Ilir Meta nga posti i Kreut të Shtetit që e mbajti për 5 vite, por edhe pas Kongresit të LSI që do të zhvillohet më 25 korrik.