Si një hero të gjithë shqiptarëve e ka cilësuar kryeministri Edi Rama, Anri Kashikun, i riu që humb i jetën duke u përpjekur të shpëtojë të vëllain dhe shokun nga mbytja.
Në Kryeministri, Rama organizoi këtë të enjte ceremoninë në der të të sakrificës së “Dëshmorit të Atdheut” Anri Kashikut dhe për familjarët e tij, të cilëve u dorëzohen shenjat e posaçme të kujtimit dhe mirënjohjes së kombit: simboli i “Familjes së Dëshmorit të Atdheut”, Medalja e Mirënjohjes, si dhe Medalja e Kryeministrit për Vlerësim Profesional me të cilën vlerësohet akti trimëror i Igli Shahinajt.
I prekur për humbjen e të riut, Rama tha se Anri dëshironte të bëhej një futbollist i njohur, por u gjend shumë shpejt në një fushë mes jetës dhe vdekjes.
“Bëhet fjalë për nderimin e një dëshmori të atdheut. Për një akt heroik. Dhe për një shembull frymëzues, por njëkohësisht edhe shumë prekës për të cilin na takon ta shprehim respektin më të thellë.
Të enjten e kaluar nuk ishte vetëm familja, të afërmit, miqtë, shokët, komuniteti i zonës, por e gjithë Shqipëria u prek në zemër dhe që me mendje qëndroi për një moment tek ky i ri që sikundër më tregoi babi kishte pasion futbollin. donte të bëhej një futbollist i mirë dhe që nuk ia doli dot sepse rrethanat, fati e vendosën në sprovën e një fushe ku luhet një ndeshje mes jetës dhe vdekjes.
Ai u bë heroi i të vëllait, por edhe gjithë shqiptarëve dhe përfitimi i këtij statusi të dëshmorit nuk e shuan pikëllimin e thellë të familjarëve, dhimbjen, por mbase lehtëson sado pak një plagë që do të qëndrojë aty në zemrën e babait dhe familjarëve”, deklaroi Rama.