Matias de Ligt dhe Juventusi do të ndahen këtë verë, duke qenë se tashmë mbrojtësi holandez është bindur për të pranuar ndonjë prej ofertave që vijnë nga Anglia, të cilat në aspektin motivues, por edhe në atë financiar duken më të larta sesa qëndrimi në Torino.

Por siç e tha me fjalë të forta edhe drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve dy ditë më parë, Mauricio Arrivabene, “dëshirat kanë faturë që duhet respektuar” dhe ajo e Juventusit për 22-vjeçarin është 120 milionë euro, siç specifikon klauzola që ai ka në marrëveshjen e nënshkruar tri vite më parë.

Ah po, “Zonja e Vjetër” mund të bëjë një sakrificë dhe të zbresë në 110 milionë euro maksimumi, siç përflitej dje në korridoret e “Kontinasas”, ashtu sikurse ajo mund të rritet nëse në ankand përveç Çelsit dhe Mançester Sitit vendosin që të futen bindshëm në garë edhe Liverpuli, Mançester Junajtid apo edhe Bajerni i Mynihut. Deri tani në Torino janë të qetë, madje po punojnë dhe po vlerësojnë me kujdes atë që mund të jetë pasuesi i De Ligtit përkrah kapitenit të ardhshëm, Leonardo Bonuçi, ku preferencat tashmë e kanë një emër konkret (Bremer e Kulibali). Gjithsesi, nëse për “Tulipanin” Matajs do të jetë Çelsi skuadra që do të këmbëngulë deri në fund dhe nëse Juventusi do të arrijë të sigurojë përpara se ta shesë holandezin mbrojtësin që kërkon, atëherë strategjia do të ndryshonte.

Pasi në radhët e bluve të Londrës luajnë dy prej mesfushorëve që kushdo do të donte t’i kishte në skuadrën e tij dhe preferencat e trajnerit Masimiliano Alegri janë N’Golo Kante dhe Zhorzhinjo. I pari është një rikuperues topash i jashtëzakonshëm, ndërsa i dyti një organizator “alla Pirlo”, i cili është pjesë e objektivave bardhezi dhe sido që të jetë, shkon apo jo De Ligt në radhët e bluve, Juventusi do ta tentojë që ta afrojë në Torino. Për momentin çdo gjë rrotullohet rreth këtyre fakteve, por nëse vetë klubi anglez e mendon seriozisht se është gati që të heqë dorë nga një prej Kantesë dhe Zhorzhinjos, duke e bërë pjesë të faturës 120 milionëshe për De Ligtin, ndonëse operacioni i shitjes mund të shpejtohej ndjeshëm.